Irani është duke u përgatitur për sulme hakmarrëse ndaj bazave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, nëse Shtetet e Bashkuara bashkohen me Izraelin për të sulmuar objektet bërthamore iraniane, kanë thënë zyrtarë të lartë iranianë për New York Times.
Sipas dy burimeve të afërta me Qeverinë iraniane, sulmet e para do të shënjestrojnë forcat amerikane në Irak dhe më pas mund të shtrihen në vendet e tjera arabe që strehojnë baza amerikane.
Këto paralajmërime vijnë në një kohë kur Presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e mbështetjes për një sulm të mundshëm izraelit ndaj impiantit bërthamor iranian në Fordow – një strukturë që deri tani ka shpëtuar pa u goditur.
Zyrtarët iranianë kanë theksuar gjithashtu se Irani mund të minojë Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, një veprim që mund të çojë në ndërprerje të qarkullimit detar dhe një rritje të çmimeve globale të energjisë.
Gjithashtu, rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, pritet të rifillojnë sulmet me raketa ndaj anijeve në Detin e Kuq.
Ndërkohë, avionët transportues ushtarakë amerikanë janë vërejtur duke kaluar përmes Atlantikut, duke sugjeruar intensifikimin e operacioneve logjistike nga SHBA.