A i ka marrë Stresi paratë në Big Brother VIP Kosova?
Kjo u vu në dyshim nga aktori Rrezart Veleshnja, i cili në një deklaratë të fundit për “Andale” pretendoi se reperi ende nuk ka marrë një pjesë të çmimit të madh.
Por reagimi ka ardhur menjëherë nga babai i tij, Sali Lushaj, i cili për emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, e quajti këtë deklaratë shpifje dhe trillim.
“Është komplet e pavërtetë ajo që është deklaruar, është shpifje dhe trillim, ku di unë nga kush. E vërteta e parave është se lekët që Stresi i ka fituar në BBVK, të gjitha i kam tërhequr unë. Jam marrë vetë me të gjitha veprimet,” tha ai.
Sipas Lushajt, menjëherë pas përfundimit të spektaklit kishte nënshkruar kontratën me drejtorin e Klan Kosovës dhe nuk ka pasur asnjë pengesë në realizimin e marrëveshjes financiare.
Kujtojmë se Stresi u shpall fitues në një përballe titanësh dhe garë shumë të fortë ndërmjet tij dhe Vedat Bajramit e finalistes që doli e treta, Juliana Nura.