Ministri izraelit i Mbrojtjes kërcënon liderin suprem Khamenei, Katz: Nëse nuk ndalon sulmet, do ketë të njëjtin fat me Saddam Husseinin

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi të se Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, mund të përballet me një fat të ngjashëm me diktatorin e Irakut, Saddam Hussein.

“Unë e paralajmëroj diktatorin iranian që të mos vazhdojë të kryejë krime lufte dhe të qëllojë me raketa qytetarët izraelitë”, tha Katz në një takim të zyrtarëve të lartë ushtarakë izraelitë në Tel Aviv.

“Ai duhet të kujtojë se cili ishte fati i diktatorit në vendin fqinj me Iranin që zgjodhi këtë rrugë kundër shtetit të Izraelit”, shtoi Katz.

Kujtojmë se Saddam Hussein, i cili ishte president i Irakut nga viti 1979 deri në përmbysjen e tij në vitin 2003, pushtoi Iranin në vitin 1980 dhe nisi një ofensive me raketa kundër Izraelit në vitin 1991. Ofensiva e Irakut kundër Izraelit zgjati pak më shumë se një muaj gjatë Luftës së Parë të Gjirit, dhe Izraeli, nën presionin e Shteteve të Bashkuara, nuk u hakmor.

Pasi forcat e udhëhequra nga SHBA-të pushtuan Irakun në vitin 2003, Hussein u kap shpejt, u nxorr në gjyq dhe u dënua me vdekje.

Komenti i Katz erdhi pasi një zyrtar i lartë amerikan i tha CNN gjatë fundjavës se izraelitët kishin mundësi për të vrarë Khamenein, por SHBA-të i komunikuan Izraelit se presidenti amerikan, Donald Trump e kundërshtoi planin.