Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit për një zyrtar policor të dyshuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës dhe lëndim të rëndë trupor.
Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë thuhet se masa e paraburgimit prej 30 ditësh është kërkuar ndaj të dyshuarit R.P., i cili aktualisht ndodhet në ndalim 48-orësh. Ai dyshohet se më 14 qershor 2025, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ka përdorur forcë të tepruar gjatë një ndërhyrjeje policore.
Sipas dosjes hetimore, incidenti ka ndodhur pas një kundërvajtjeje të lehtë për parkim të palejuar. I dëmtuari, S.F., kishte hedhur në tokë tiketën e gjobës të vendosur në xhamin e veturës së tij, gjë që ka çuar në një përplasje verbale me zyrtarët policorë. Kur iu kërkua të identifikohej, ai nuk i ishte bindur urdhrave të policisë, duke rezultuar në një përpjekje për arrestim.
Gjatë ndërhyrjes, sipas Prokurorisë, i dyshuari R.P. ka përdorur forcë të panevojshme, duke i vendosur këmbën mbi të dëmtuarin dhe më pas e ka goditur disa herë me grushte në kokë, konkretisht në zonën e syrit dhe të veshit të majtë. Këto veprime, siç thuhet, i kanë shkaktuar lëndime trupore serioze viktimës.
Bashkë me R.P., në incident ishte i pranishëm edhe një zyrtar tjetër policor, N.B., i cili gjithashtu është pjesë e hetimeve, por ndaj tij nuk është kërkuar masa e paraburgimit në këtë fazë.
Prokuroria ka theksuar se veprimet e dyshuara përbëjnë vepra penale sipas nenit 195 paragrafi 1 (“Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”) dhe nenit 186 paragrafi 1 (“Lëndimi i rëndë trupor”) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Reporteri.net/