Për herë të 33-të, deputetët do të tentojnë sot të konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Deri tash, në vazhdimet e seancës që nuk kanë zgjatur më shumë se 2-3 minuta, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, i cili do të mundësonte votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit dështoi sërish të dielën, duke e zgjatur edhe më tej ngërçin institucional në vend.
Kryesuesi Dehari ftoi edhe njëherë subjektet politike parlamentare që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, përkatësisht PDK-në, LDK-në, Listën serbe dhe AAK-NISMA-n, që ta bëjnë këtë.
Serish nuk pati propozime për anëtarë të këtij komisioni.
Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 45 deputetë, një votoi kundër ndërsa abstenime nuk pati.
Ndërkohë çdo përfundim të seancës përfaqësuesit e partive politike po hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës për bllokim institucional.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sërish ka akuzuar deputetët e partive të tjera për bojkotimin e votimit dhe pengimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Gjatë vazhdimit të angazhimeve si kryetar i ekzekutivit, ai deklaroi se deputetët po bëjnë shkelje kushtetuese duke mos marrë pjesë në votim, me referencë te bojkotimi i votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Unë çdo herë shkoj për ta konstituuar Kuvendin. Ata që vijnë, por bojkotojnë duke mos votuar, nuk e di pse vijnë. Sipas bindjes sime, pjesëmarrja në seanca dhe bojkotimi i votimit është sjellje e papërgjegjshme politikisht dhe shkelje e Kushtetutës juridikisht,” tha ai.
Por Kurti është akuzuar vetë për një shkelje të tillë, pasi është betuar si deputet dhe njëkohësisht vazhdon të marrë vendime nga zyra e kryeministrit. Sipas Ligjit për Qeverinë, njohës të fushës kanë theksuar se ai nuk mund të mbajë të dyja postet njëkohësisht.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë reaguar përsëri. Deputetja Jehona Lushaku-Sadriu deklaroi se Kurti e ka uzurpuar Zyrën e Kryeministrit pa pasur shumicë parlamentare dhe jashtë çdo norme kushtetuese.
“Albin Kurti sot ka guxuar të flasë për shkelje të Kushtetutës, ndërkohë që vetë e ka uzurpuar Zyrën e Kryeministrit, pa pasur shumicë parlamentare dhe jashtë çdo norme kushtetuese. Ai e quan mosbindjen e deputetëve ndaj vullnetit të tij personal ‘shkelje të Kushtetutës’?! Kjo është logjika e një njeriu që e sheh veten mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën,” ka shkruar ajo.
Megjithatë, Kurti me vendosmëri pohoi se do të vazhdojë detyrën e tij si kryeministër në detyrë, deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
The post Sot përpjekja e 32-të për konstituimin e Kuvendit appeared first on Kosovapost.net.