Një i ri i komunitetit rom raportohet se është sulmuar brutalisht para një jave në Prizren.
Siç raporton “Radio Romano Avazo”, ai është sulmuar derisa po e priste autobusin pranë Universitetit të Prizrenit për të shkuar në punë, në orën 06:00 të mëngjesit.
“Në atë moment, dy të rinj me motosikleta i janë afruar dhe i kanë kërkuar para. Kur viktima nuk ka pasur mundësi t’ua japë, njëri prej tyre e ka goditur me shqelm në fytyrë, duke i thyer nofullën në mënyrë të tmerrshme. Sulmi brutal është një akt i pastër diskriminimi dhe dhune ndaj një njeriu që përballet me vështirësi të mëdha jetese”, raporton ky medium.
I njëjti është dërguar menjëherë në Spitalin e Prizrenit, teksa sot ka pasur t’i nënshtrohet një operimi. Sipas këtij mediumi, Policia ka identifikuar të dyshuarit.
Reporteri.net është në pritje të konfirmimit të Policisë për rastin.
Lidhur me rastin ka reaguar deputetja Eliza Hoxha.
“Ne si shumicë duhet me punu përditë në integrimin e minoriteteve dhe krijimin e rrethanave të sigurta dhe miqësore për ta e për ne së bashku. Uroj organet e rendit e institucionet përkatëse ta bëjnë punën e tyre”, ka shkruar ajo.