Koha që BE-ja të lëvizë përpara me vendime konkrete, heqje të masave dhe dhënien e statusit të kandidatit

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është koha që Bashkimi Evropian të lëvizë përpara me “vendime konkrete dhe të merituara” për Kosovën, përfshirë heqjen e masave dhe dhënien e statusit të kandidatit, shkruan Reporteri.net.

Këtë deklaratë Osmani e ka bërë gjatë adresimit në samitin e  nivelit të lartë të liderëve të shteteve të Evropës Juglindore në Tiranë. Kryediplomatja e BE’së, Kaja Kallas, gjatë vizitës së saj në Kosovë kishte thënë se ka nisur heqja graduale e masave.

“…theksova se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është një proces bamirësie, por investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e vetë Evropës. Prandaj, është koha që BE-ja të lëvizë përpara me vendime konkrete dhe të merituara për Kosovën, përfshirë heqjen e masave të padrejta dhe dhënien e statusit të kandidatit për vendin tone”, ka deklaruar Osmani.


Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbahen peng nga masa që i dëmtojnë drejtpërdrejt dhe që nuk i shërbejnë as paqes, as dialogut, e as të ardhmes evropiane të rajonit tonë.

“Orientimi i Kosovës është i qartë dhe i palëkundur: drejt BE-së dhe NATO-s, si pjesë e natyrshme e familjes euroatlantike”, ka shkruar Osmani, teksa ka falenderuar Presidentin e Shqiupërisë, Bajram Begajn për mikpritjen.

Në samit kanë marrë pjesë edhe Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar; Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović; Kryetarja e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Željka Cvijanović; Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova; si dhe Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i cili do të marrë kryesimin e radhës së SEECP-së për vitin e ardhshëm.

Të pranishëm kanë qenë edhe Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut; Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Moldavisë, Mihai Popșoi; Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan; Ministri i Jashtëm i Rumanisë, Emilian Hurezeanu; Zëvendësministrja e Jashtme e Greqisë, Alexandra Papadopoulou; si dhe përfaqësues të lartë nga Kroacia, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Samiti po shënon përmbylljen e një viti të suksesshëm të presidencës shqiptare të SEECP-së, e cila këtë vit ka pasur moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”. Shqipëria pritet t’ia dorëzojë kryesimin Bullgarisë në fund të muajit./Reporteri.net
/Reporteri.net