Serbia voton e vetme kundër deklaratës së samitit të liderëve të SEECP në Tiranë

Serbia ka qenë shteti i vetëm që ka votuar kundër deklaratës së liderëve në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që po mbahet në Tiranë nën udhëheqjen e Presidentit Bajram Begaj, ku po marrin pjesë liderët më të lartë të rajonit, përfshirë edhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Siç merr vesh Gazeta Online Reporteri.net, kundërshtimi i Serbisë ka qenë për pjesën ku dënohet agresioni rus ndaj Ukrainës si dhe referenca ndaj NATO’s si aleancë që kontribuon në sigurinë euroatlantike.

Në samit po marrin pjesë edhe Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar; Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović; Kryetarja e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Željka Cvijanović; Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova; si dhe Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i cili do të marrë kryesimin e radhës së SEECP-së për vitin e ardhshëm.


Të pranishëm janë gjithashtu Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut; Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Moldavisë, Mihai Popșoi; Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan; Ministri i Jashtëm i Rumanisë, Emilian Hurezeanu; Zëvendësministrja e Jashtme e Greqisë, Alexandra Papadopoulou; si dhe përfaqësues të lartë nga Kroacia, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Samiti po shënon përmbylljen e një viti të suksesshëm të presidencës shqiptare të SEECP-së, e cila këtë vit ka pasur moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”. Shqipëria pritet t’ia dorëzojë kryesimin Bullgarisë në fund të muajit./Reporteri.net

Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin e SEECP-së, Begaj mirëpret liderët rajonalë