Presidenti Erdoğan bisedon me princin bin Salman: Izraeli “kër*cënimi më i madh” për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman, ku ka theksuar se Izraeli është “kërcënimi më i madh” për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, transmeton Anadolu.

Drejtoria e Komunikimit e Presidencës Turke në rrjetet sociale njoftoi se në bisedën telefonike u diskutua konflikti midis Izraelit dhe Iranit, si dhe çështjet rajonale dhe globale.

Erdoğan tha se “Izraeli nën administratën e Netanyahut përbën kërcënim më të madh për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe se kjo është riafirmuar përmes sulmit të tij të fundit ndaj Iranit”.

Presidenti turk tha se “heshtja e komunitetit ndërkombëtar përballë pushtimit dhe gjenocidit në Palestinë e ka inkurajuar Izraelin në veprimet e tij të paligjshme dhe agresive”.

Agresioni i Izraelit ndaj Iranit, tha presidenti Erdoğan, “në një kohë kur përpjekjet janë duke vazhduar për të arritur një kompromis” përmes bisedimeve bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit, synon të minojë përpjekjet për paqe.

Ai shtoi se sulmet, të cilat shkaktuan rrjedhje bërthamore, zbuluan edhe një herë ” sa në mënyrë të papërgjegjshme kërcënon Izraeli si sigurinë rajonale ashtu edhe atë globale”.

Presidenti turk theksoi se rajoni nuk mund të durojë një krizë tjetër, duke paralajmëruar se një luftë shkatërruese mund të shkaktojë valë të parregullta migrimi që prekin të gjitha vendet në rajon.

Ai tha se mosmarrëveshja bërthamore mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet bisedimeve të vazhdueshme.

Të premten herët, Izraeli nisi një seri sulmesh kundër territorit iranian, duke shënjestruar objektet bërthamore dhe raketore, duke vrarë figura të larta ushtarake dhe shkencëtarë. Vala e sulmeve ka vazhduar dhe ka rezultuar në vdekjen e të paktën 78 personave dhe 320 të tjerë janë plagosur.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së sulmi ajror i Izraelit në objektin bërthamor të Iranit në Natanz rezultoi në “kontaminim radioaktiv dhe kimik”.

The post Presidenti Erdoğan bisedon me princin bin Salman: Izraeli “kër*cënimi më i madh” për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit appeared first on Kosovapost.net.