KQZ-ja planifikon mbi 16 milionë euro për zgjedhjet lokale

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar planin e buxhetit për organizimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Buxheti i aprovuar nga KQZ-ja, kapë vlerën e 16 milionë e 126 e 364 euro.

 

Nga buxheti i përgjithshëm i planifikuar, KQZ do të kërkojë buxhet shtesë nga Qeveria e Kosovës në gati për 6,5 milionë.

Sipas të dhënave nga KQZ-ja, pjesa më e madhe e këtyre mjeteve planifikohen për trupat zgjedhore që do të angazhohen në këto zgjedhje, siç janë komisionerët dhe stafi tjetër.

Vetëm për të mbuluar shpenzimet e kësaj kategorie, janë planifikuar mbi 7 milionë euro. Në këtë planifikim buxhetor është paraparë edhe kostoja për të mbuluar shpenzimet për votuesit jashtë vendit, pasi duke filluar nga këto zgjedhje, KQZ pritet t’iu dërgojë pakon me fletëvotime të gjithë shtetasve që arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës.

Ndërkohë, KQZ-ja mori vendim edhe për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të tetorit.

Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik, në komunën ku do të marrë pjesë në zgjedhje, ka të drejtë të shpenzojë 2 euro për votues të regjistruar në atë komunë.

Kjo vlerë u vendos pasi shuma e propozuar më herët 1 euro e 1,5 euro u kundërshtua nga anëtarët e KQZ-së.

Alban Krasniqi nga LVV-ja në KQZ, kërkoi rishikim te pjesa shpenzimeve. “Kur flasim për 38 komuna, shpenzimet janë shumëfish më të mëdha në secilën komunë. E konsideroj të nevojshme që ky prag të jetë minimumi 1,5 euro për këto zgjedhje”, tha ai.

Edhe, Ilir Gashi anëtar nga PDK-ja tha se nuk guxojnë që me kufizime të bëjnë ngufatje të shpenzimeve të subjekteve. “Që më pastaj ato të detyrohet apo kandidatë të caktuar të bëjnë veprime të jashtëligjshme e t’i ikin pastaj edhe vetë deklarimit. Periudha 4 mujore është bukur e gjatë që subjektet politike të shërbehen vetëm me 1 euro”, tha ai.

Muharrem Nitaj i AAK-së, pyeti përgjegjësit se cili ka qenë kriteri që vendosën për shumën e shpenzimeve për votues. “1.5 euro për votues, kjo do të thotë një kafe për kokë banori, për një votues”, tha Nitaj.

Në fund, me 11 vota të anëtarëve u vendos që shuma për votues të jetë 2 euro. Por, subjektet politike nuk mund ta tejkalojnë vlerën e kufizuar të shpenzimeve në komunat në të cilat certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje.

Gjithashtu, kufizimet e shpenzimeve maksimale të lejuara për fushatë zgjedhore zbatohen për çdo mall dhe shërbim të shpenzuar në komunat përkatëse për qëllime të fushatës pa marrë parasysh kohën e blerjes apo të pajisjes me shërbime.

Kjo llogaritje thuhet se është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin e fushatës së zgjedhjeve si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve në secilën komunë, sipas të cilës numri i përgjithshëm i votuesve në vend është 2 milionë e 71 mijë e 544 votues.

 

 

The post KQZ-ja planifikon mbi 16 milionë euro për zgjedhjet lokale appeared first on Kosovapost.net.