Kërkesat opsionale Hamza duhej t’i bënte më 10 shkurt, jo më 10 qershor

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kritikuar PDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën si po e trajtojnë krizën politike që po zgjat prej zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Haziri ka theksuar se PDK-ja është dashur të veprojë menjëherë pas zgjedhjeve me kërkesa opsionale dhe jo të bëj deklarime me vonesë, më 9 e 10 qershor.

Sipas tij, përpjekjet për bashkëpunim me PDK-në kanë ekzistuar dhe kanë qenë konstruktive, ndryshe nga ajo që ai e cilëson si “bashkëpunim tejet zyrtar” me VV-në.


“Prej 9 shkurtit çfarë është dashur ta bëjë zoti Hamza dhe PDK-ja është që në 10 shkurt në mëngjes me definu kërkesën opsionale edhe me pas veprim opsional për këtë çështje, e jo me 10 qershor e 9 qershor me komuniku, unë e di që në debat… Kemi provuar, ka pasur takime politike, komunikim politik, ka pasur takim të vogla të rralla, komunikimi nuk ka munguar. Krejt është në kudër të një bashkëpunimi politik që është i mirë dhe i cili ka munguar me partinë e parë”, ka deklaruar ai, në Debat Plus të RTV Dukagjini.

Ai ka thënë se LDK-ja ka lexuar drejt mesazhin politik të liderit të VV-së për ndërtimin e institucioneve me LDK-në.

“Defacto në funksion të komunikimit politik nuk ka pasur, komunikimi i partisë së parë me LDK është komunikim me letra. Nuk është asgjë e keqe, por në rastet kur punojnë partitë me zgjidh problemin komunikimi me letra tregon nivelin edhe formatin e bashkëpunimit. Ky bashkëpunim është tejet zyrtar. Letra shpreh dëshirën politike, vullnetin politik, me kunja shpeshherë, edhe pse LDK-ja e ka lexuar drejt që është vullnet politik i liderit te VV-së me ndërtu me institucione me LDK-në”, ka deklaruar Haziri.

“Opsioni ynë është i qartë: ndërtimi i një qeverie të përbashkët. Në këtë formulë nuk fiton e as nuk humb askush, fiton demokracia parlamentare”, ka shtuar Haziri.

Në fund, ai përmendi edhe rolin e Listës Serbe, duke theksuar se edhe pse janë të certifikuar si deputetë, ata janë përjashtuar nga formula e re e përbërjes së Kuvendit dhe nuk po marrin pjesë në funksionimin e tij.






Limaj: Me Kurtin arritëm marrëveshje për kryetar të Kuvendit, të nesërmen propozoi Haxhiun

Reporteri

11 Qershor 2025 | 21:35

Fatmir Limaj ka shpalosur detaje të takimeve sy më sy, që pati me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Ai madje ka zbuluar për herë të parë se kishin arritur marrëveshje për postin e kryetarit të Kuvendit me Kurtin, një natë para seancës ku do të propozohej emri për krye kuvendar.

Pavarësisht se sipas Limajt, ai dhe Kurti kishin pasur marrëveshje xhentëlmenësh për këtë post, që tash e 30 seanca ka bllokuar konstituimin e kuvendit, pikërisht në atë seancë ishte propozuar emri i Albulena Haxhiut, e cila është bërë tashmë simbol i bllokadës.

“[Kur keni kërkuar partneritet në kuvend, për postin e kryeparlamentarit?], Sigurisht, Kurti ka pas nevojë me diskutu, njëjtë edhe unë. Të nesërmen jemi takuar vetëm ne të dy në kryeministri…Kemi pasur një marrëveshje xhentellmene, gojore. Jemi pajtuar, ka mbetur që ai me shku me propozu tek organet e veta, partnerëve të vetë edhe unë organeve të mija. Takimi është kryer në 11 në mbrëmje, takimi ka filluar në ora 8 ose 9 në mbrëmje. Marrëveshje me shkrim nuk kemi pas, vetëm dakordim gojor. E kemi cakërruar këtë marrëveshje me ujë. Jemi dakorduar, si marrëveshje mes xhentellmenëve. [Marrëveshja ka qenë që të nesërmen ju të votoheni si kryetar i kuvendit?] – Po marrëveshja kështu ka qenë. Unë i thash Kurtit nuk jam i interesuar për qeveri, nëse donë partneritet është kjo, nëse i donë numrat”, tha Limaj në Klan.






Haradinaj: Seancave të Kuvendit u ka humbur kuptimi, situata është për keqardhje

Reporteri

11 Qershor 2025 | 11:44

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka deklaruar se seancat e kuvendit kanë humbur kuptimin dhe se shumica e deputetëve kanë të drejtë t’i bojkotojnë ato.

Sipas tij, me këtë situatë vendi është duke shkuar drejt zgjedhjeve të reja.

“Mendoj që shumica e deputetëve kanë të drejtë të bojkotojnë kuvendin dhe po duket që jemi duke shkuar drejt zgjedhjeve. Se kur do të marrë epilog, do të shohim. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pritet të dalë shpejt, mund t’i japë epilog të caktuar”.

I pyetur se a rrezikojnë pragun nëse shkojnë në zgjedhje të reja, siç janë duke pretenduar partitë e tjera, ai tha se AAK-ja do të jetë gjithmonë këtu dhe se do të jetë subjekt serioz.

“Edhe ne jemi të gatshëm gjithmonë sepse jemi parti politike, ne i kemi pritur zgjedhjet lokale dhe mendoj që do të dalim shumë suksesshëm, por pse jo edhe nëse janë zgjedhjet nacionale në të njëjtën kohë, janë të mirëseardhura. Më vjen mirë që kanë kohë me u marrë me Aleancën…, por siç po e shihni, prapë Aleanca do të jetë këtu dhe do të jetë subjekt shumë serioz politik”.






Vazhdon ngërçi, dështon edhe përpjekja e 30-të për konstituimin e Kuvendit

Reporteri

11 Qershor 2025 | 11:33

Ka dështuar edhe përpjekja e 30-të për konsituimin e Kuvendit të Kosovës.

Seanca dështoi pasi as kësaj radhe nuk mori votat e mjaftueshme komisioni për të organizuar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, shkruan Reporteri.net.

Kjo pasi PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, Lista Serbe nuk propozuan deputetët për formimin e Komisionit zgjedhor.

Për formimin e këtij komisioni sot kanë votuar vetëm 52 deputetë.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se seanca vazhdon pas 48-orësh. /Reporteri.net/

 






Lushtaku: Nëse zgjidhje janë zgjedhjet, ne nuk hezitojëm të shkojmë në zgjedhje

Reporteri

11 Qershor 2025 | 11:26

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku është deklaruar para mediave në lidhje me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës pas 29 seancave të vazhdueshme çdo 48 orë, ndërkaq sot mbahet edhe seanca e 30-të me radhë por nuk pritet rezultat.

Këtë e ka thënë edhe Lushtaku i cili tha se nuk po shihet ndonjë reflektim nga “shumica e pamjaftueshme” në Kuvend duke iu referuar kështu Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka thënë se nëse zgjidhje janë zgjedhjet, ata janë të gatshme për të shkuar në zgjedhje.

“Ne sigurisht jemi gjithmonë të gatshëm edhe për zgjedhje të jashtëzakonshme por sigurisht që Kosova ka më shumë probleme se me shku në zgjedhje. Nëse është kjo zgjidhja, ne nuk hezitojmë të shkojmë edhe në zgjedhje por nuk duhet të jetë alternativa e vetme zgjedhjet për me bë një zgjidhje për vendin”, ka thënë ai.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e bashkëpartiakut të tij, Nait Hasanit i cili tha se sot do të marr pjesë për herë të fundit në Kuvend derisa të konstituohet ai.

“Deputetët e kanë mandatin e lirë edhe pse jemi në parti të ndryshme, kemi përgjegjësi individuale përveç atyre partiake. Besoj që secili deputet mund të thotë mendimin apo qëndrimin e vetë se a do të vie në Kuvend apo jo. Sigurisht se edhe për neve është e mundimshme me ardh në Kuvend dhe mos me pas një brezultat ndryshe apo mos me pas konstituim të Kuvendit por duhet të jemi prezent edhe me pa ose mos me pa a po reflekton shumica e pamjaftueshme në Kuvend. Ne si PDK jemi duke vazhduar me mbajt përgjegjësi në Kuvendin e Kosovës duke kërkuar edhe reflektimin e shumicës së pamjaftueshme në Kuvend që është LVV”, ka thënë Lushtaku.

Sa i përket rritjes së çmimit të energjisë elektrike, Lushtaku ka thënë se nuk ka asnjë sens të arsyeshëm që justifikon rritjen ekstreme të energjisë elektrik.

“Jo vetëm bizneset por edhe qytetarët janë duke u sfiduar me këtë rritje të tepruar të energjisë elektrike”, ka shtuar ai.






Balje thotë se s’është kontaktuar më për koalicion dhe se s’ka votë për Haxhiun

Reporteri

11 Qershor 2025 | 11:19

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka thënë se qëndrimi i saj vazhdon të mbetet i njëjtë dhe se s’ka çfarë të deklarojë lidhur me bllokadën politike në vend.

Balje, e pyetur nëse është kontaktuar më për punë të koalicionit, ka thënë se s’ka ndodhur më diçka e tillë derisa ka shtuar se përgjegjësia për situatën dhe bllokadën politike është e Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetja ka thënë se përgjegjësia shkon me fuqinë.

“Kush ka më shumë fuqi ka më shumë përgjegjësi. Përgjegjësia shkon me fuqi”, ka thënë ajo.

“Jo nuk shoh ndryshim. Nuk ka pasur ndonjë hap tjetër, është situatë e njëjtë. Mendimin e kam të njëjtë”, deklaroi Balje e pyetur nëse do ta votoj Albulena Haxhiun.