Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka folur lidhur me takimin e djeshëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, takim ky që u zhvillua në objektin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, të cilën Hamza e udhëheq si kryetar.
Hamza ka theksuar se asnjëherë nuk ka vënë pengesa për takime e biseda me askënd, duke nënvizuar gatishmërinë e tij për bashkëpunim, sidomos kur është në interes të qytetarëve.
Ai shtoi se është i kënaqur që si kryetar i Mitrovicës ka realizuar projekte në të dy anët e qytetit, pa zhurmë e pompozitet, por me rëndësi për komunitetin.
“Një prej projekteve është shëtitorja përgjatë lumit Ibër, edhe në pjesën veriore edhe në atë jugore. Gjithmonë jam i gatshëm për bashkëpunim, si me kolegët nga Mitrovica e Veriut ashtu edhe me komunat e tjera në veri të Kosovës, për çështje që janë në interes të përbashkët,” tha ai në RTVDukagjini.
Hamza sqaroi se temat e takimit kanë qenë vetëm për çështje lokale dhe projekte konkrete për Mitrovicën.
Sa i përket spekulimeve për diskutime rreth koalicioneve në nivel qendror, ai i mohoi kategorikisht.
“Sigurisht që ka pasur spekulime se a ka pasur biseda edhe rreth koalicionit në nivelin qendror. Unë po ua them jo, se me kon pas, kisha thënë po,” përfundoi Hamza.
The post A u bisedua me Kurtin edhe për koalicion, flet Bedri Hamza appeared first on Kosovapost.net.