Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, hapi zyrtarisht “Javën e Krenarisë 2025” në Prishtinë, duke theksuar përkushtimin e qeverisë për barazi dhe përfshirje për të gjithë qytetarët, pa dallim.
Ai vlerësoi rëndësinë e kësaj jave si simbol të gjallërisë dhe aktivizmit të komunitetit LGBTQ+, duke shtuar se ndjenjat e turpit duhet luftuar përmes solidaritetit dhe angazhimit të përbashkët.
“Qeveria e të gjithë qytetarëve të vendit tonë, pa dallim. Të rëndësishme janë ngjarjet si Java e Krenarisë, pavarësisht orientimit seksual. Prania e të gjithëve dëshmon gjallërinë dhe aktivizmin e komunitetit. Ndjenjat e turpit janë dukuri që ne që besojmë në barazi duhet t’i luftojmë së bashku. Institucionet janë në krye të detyrës për një shoqëri gjithëpërfshirëse. Mbajtja e Javës së Krenarisë është traditë kuptimplotë me rëndësi në Kosovë. E mbështesim fuqishëm parimin që secili ka të drejtë të shfaqet ashtu siç është,” tha Kurti.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, deklaroi se BE-ja është fuqimisht e përkushtuar ndaj të drejtave të personave LGBTIQ+, duke theksuar se këto janë të drejta të njeriut dhe jo të drejta të veçanta.
Orav vlerësoi progresin e Kosovës, sidomos faktin që Parada e Krenarisë zhvillohet çdo vit pa incidente, si shenjë e pranimit dhe normalizimit.
“Në emër të Bashkimit Evropian, mund të konfirmoj se jemi fuqimisht të përkushtuar ndaj të drejtave të personave LGBTIQ+. Këto nuk janë të drejta të veçanta, por të drejta të njeriut. Vizion ynë është mbrojtje më e madhe, përfshirje dhe mosdiskriminim në të gjithë Bashkimin Evropian dhe vendet partnere. Kosova po bën mirë në këtë drejtim. Fakti që Parada e Krenarisë mbahet çdo vit pa incidente është një shenjë e normalizimit dhe pranimit,” tha Orav.
Ndërkaq, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të Suedisë për komunitetin LGBTIQ+ gjatë hapjes së sezonit francez në Prishtinë.
Ai theksoi sfidat me të cilat përballet ky komunitet, duke përmendur se mbi 350 persona janë vrarë vitin e kaluar në mbarë botën për shkak të përkatësisë së tyre.
“Komuniteti LGBTIQ+ përballet me sfida të përditshme. Sipas të dhënave, vitin e kaluar mbi 350 persona nga ky komunitet janë vrarë. Së fundi, është publikuar një opinion i avokates së përgjithshme të Këshillit Evropian për të Drejtat e Njeriut, që shpreh shqetësim për ligjet diskriminuese në disa vende anëtare të BE-së. Ky është një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së të drejtave të komunitetit,” tha Westerlund.
Westerlund gjithashtu përmendi mbështetjen e ministres suedeze për çështjet e komunitetit LGBTIQ+, Jessica Olsson-Kantz, dhe ish-kryeministrit Stefan Löfven, të cilët theksuan të drejtën e të gjithëve për të jetuar hapur, pa frikë dhe pa diskriminim.
The post Kurti hap “Javën e Krenarisë” në Prishtinë: E mbështesim fuqishëm parimin që secili ka të drejtë të shfaqet ashtu siç është appeared first on Kosovapost.net.