Kombëtarja e Kosovës ka shënuar një tjetër fitore bindëse në ndeshjet miqësore të qershorit, duke e mposhtur Komoret me rezultat 4-2 të hënën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Pas fitores kundër Armenisë javën e kaluar, “Dardanët” kanë regjistruar suksesin e dytë radhazi, duke dhënë sinjale pozitive në prag të sfidave zyrtare që i presin në shtator në fushatë e kualifikimeve për Botërorin e vitit 2026.
Ndeshja ka nisur me befasi, pasi mysafirët kanë kaluar të parët në epërsi në minutën e dymbëdhjetë, kur Bakari ka realizuar pas një asistimi nga Said.
Megjithatë, reagimi i Kosovës ka qenë i menjëhershëm. Në minutën e nëntëmbëdhjetë, Albion Rrahmani e ka gjetur rrjetën me një goditje të fortë brenda zonës, duke rikthyer baraspeshën në lojë.
Me rezultat 1-1 është mbyllur edhe pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Kosova e ka marrë kontrollin e plotë të lojës. Rrahmani ka realizuar edhe dy gola të tjerë, në minutat gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë e nëntë, duke kompletuar një “hat-trick” dhe duke e çuar rezultatin në 3-1 për Kosovën.
Komoret janë rikthyer përkohësisht në lojë me një gol në minutën e tetëdhjetë e pestë, pas një aksioni të shpejtë që ka zënë në befasi mbrojtjen kosovare.
Megjithatë, në minutat shtesë, Fisnik Asllani ka realizuar golin e katërt për Kosovën, duke vulosur fitoren me shifrat përfundimtare 4-2.
The post Kosova mposht bindshëm Komoret appeared first on Kosovapost.net.