Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin vjetor për vitin 2024, ka gjetur se Komuna e Prishtinës ka aplikuar procedurat e prokurimit me negocim në shpërputhje me Ligjin për Prokurim Publik. Një prej rasteve është edhe tenderi milionësh për pastrimin e kryeqytetit, kontratë me të cilën është shpërblyer një operator privat, e është injoruar ndërmarrja lokale “Pastrimi”, me të cilën komuna veçse kishte kontratë për të njëjtat shërbime, shkruan Reporteri.net.
Në raportin prej 56 faqesh që ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net, Auditori ka gjetur se Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama ka dhënë tender në vlerë prej 1 milion euro me negocim, edhe pse nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për ta përdorur këtë procedurë. Fjala është për kontratën “Ofrimi i makinerisë shtesë për shërbimin e grumbullimit, transportimit dhe deponimit të mbeturinave komunale”.
Komuna e kishte dhënë këtë tender milionësh me afat njëvjeçar, ndonëse e kishte një kontratë aktive, siç theksohet “në shtëpi”, me Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, ku vetë është aksionare, e që e kishte lidhur në fund të shkurtit të vitit 2024, për të njëjtat shërbime.
Aty përshkruhet edhe arsyetimi që ka dhënë Komuna për përdorimin e kësaj procedure.
“Përdorimi i kësaj procedure është arsyetuar nga Komuna në bazë të vendimit për shpalljen e gjendjes emergjente të dates 14.02.2024, i cili pasonte nga një raport i përgatitur nga grupi punues i themeluar më 08.11.2023 dhe i cili përshkruan gjendjen e evidentuar nga kjo datë. Ky raport evidentonte parregullsi në menaxhimin e mbeturinave dhe u përdor si bazë për të justifikuar situatën emergjente”, thuhet në raport.
Por, nga ZKA, ky arsyetim nuk është vlerësuar si bindës.
“Komuna kishte kohë që ishte në dijeni për problemet me operatorin ekzistues KRM “Pastrimi”, përmes ankesave të qytetarëve dhe vërejtjeve të përsëritura për moszbatim të detyrimeve sipas kontratës. Kjo situatë tregon se nevoja për angazhim shtesë të makinerisë nuk ishte e paparashikueshme”, thekson tutje raporti.
Sipas Auditorit, ky aktivitet ishte paraparë gjithashtu në planin e prokurimit të vitit 2024, teksa përmendet se gjatë monitorimit KRPP ka dhënë opinion për rishqyrtimin e mundësisë së shmangies së përdorimit të kësaj procedure me qëllim të rritjes së transparencës dhe konkurrencës.
ZKA ka ardhur në përfundim se Komuna nuk i ka shtjerrë të gjitha mundësitë për të zgjidhur situatën përmes bashkëpunimit me KRM “Pastrimi”.
“Për më tepër, nuk është dokumentuar ndonjë analizë për identifikimin e alternativave për përmirësimin e zbatimit të kontratës ekzistuese ose angazhimin e ndonjë operatori tjetër publik para se të angazhohej operatori privat”, vë në pah raporti.
Aty është përfshirë edhe përgjigja që ka dhënë “Pastrimi”, ku ka thënë se kontrata është lidhur nga komuna pa njoftim paraprak.
“Në përgjigjen zyrtare të dhënë nga KRM “Pastrimi” gjatë procesit të auditimit, është deklaruar se atyre nuk u është ofruar ndonjë mundësi për të paraqitur propozim zyrtar apo për të qenë pjesë e një procesi formal të konkurrencës. Sipas Ndërmarrjes, kontrata është inicuar dhe lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Komuna, pa ndonjë njoftim paraprak”, thuhet në raport.
Auditori ia ka rikujtuar Komunës së Prishtinës se përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim cenon konkurrencën dhe transparencën në prokurim publik, duke krijuar rrezik për favorizim, menaxhim joadekuat të fondeve publike, si dhe zvogëlim të besimit të publikut në sistemin e prokurimit.
Theksohet edhe kostoja në buxhet që mund ta ketë kjo.
“Mos kontraktimi i shërbimeve të cilat ofrohen nga autoritetet publike ndikon që Komuna të kontraktoj këto shërbime me një çmim më të lartë”.
Në fund, jepet edhe një rekomandim për Kryetarin e Komunës, Përparim Ramën.
“Kryetari duhet të sigurojë që procedura e negociuar pa publikim të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe në përputhje të plotë me kushtet të përcaktuara në kërkesat ligjore. Para se të angazhojë operatorë privat, duhet të shqyrtohen kapacitetet me autoritetet publike, dhe të dokumentohen përpjekjet për bashkëpunim me to”, thuhet në raportin e Auditorit.
Sipas neni 35 të LPP, Autoriteti kontraktues mund të përdorë procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës për të ushtruar aktivitetin e prokurimit vetëm pasi që të jetë në pajtim me këtë nen, pika 2.1 (iii) nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues.
Ndërsa, sipas nenit 9.4 përcaktohet se nëse autoriteti kontraktues është autoritet publik, autoriteti i tillë publik duhet të marrë masa të arsyeshme për t’u siguruar se lëndët që i përmbushin këto nevoja nuk janë në dispozicion nga ndonjë autoritet tjetër publik./Reporteri.net