Rizvanolli vizitoi shkollat “Isa Boletini” dhe “Hamit Sejdiu”, ku po investohet në efiçiencë të energjisë

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me nënkryetaren e Podujevës, Marigona Lahu dhe drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, Avni Fetahu, e kanë vizituar Shkollën “Isa Boletini” në Pakashticë dhe Shkollën “Hamit Sejdiu” në Podujevë, ku janë duke u bërë investime në efiçiencë të energjisë.

Në ndërtesat e këtyre shkollave po punohet në izolimin e çative dhe mureve të jashtme, ndërrimin e dyerve edhe dritareve, instalimin e sistemeve të ngrohjes efiçiente dhe vendosjen e ndriçim efikas me LED.

Projekti implementohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencё tё Energjisë dhe financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes skemës qarkulluese për komuna.

Me këtë rast ministrja Rizvanolli theksoi se investimet në efiçiencë të energjisë përkthehen në kushte më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit, në klasa më të ngrohta, më të ndriçuara dhe më të sigurta.

“E kështu në Komunën e Podujevës, po i japim prioritet kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit, përmes një reforme të thellë në infrastrukturën shkollore dhe efiçiencën e energjisë. Në total, janë renovuar dhe duke u renovuar 8 shkolla publike, me një investim të përgjithshëm prej mbi 1.48 milionë euro dhe përfitojnë 2275 nxënës e mësimdhënës”, tha Rizvanolli dhe shtoi se me një investim prej 745 mijë euro, aktualisht janë duke u renovuar 4 shkolla, të cilat do të përfundojnë në shtator 2025 dhe pas përfundimit pritet kursim i energjisë mbi 70%, që do të ndikojë drejtpërdrejt në buxhetin e komunës dhe në cilësinë e jetës në shkollë.

Në SH.F.M.U. “Isa Boletini” po investohen 361,420 euro, ku janë 1413 përfitues, ndërsa SH.F.M.U. “Hamit Sejdiu” po investohen 115,497 euro dhe nga këto investime janë 90 përfitues. Po ashtu investimet janë duke u realizuar edhe në shkollat “Ali Ajeti” në Lladovc dhe “Shefki Kuleta” në Tërnavë.

Ndërsa investime në efiçiencë të energjisë kanë përfunduar në 4 shkolla, në shkollat “Shaban Shala” dhe “Enver Maloku” në Podujevë, “Shefki Kuleta” në Bellopojë dhe “Luigj Gurakuqi” në Gërdoc.

The post Rizvanolli vizitoi shkollat “Isa Boletini” dhe “Hamit Sejdiu”, ku po investohet në efiçiencë të energjisë appeared first on Kosovapost.net.