Pse nisën tubimet në Los Angelos, Trump urdhëron futjen e Gardës Kombëtare: Rebelim

Los Angeles është përfshirë nga protesta të fuqishme që nga e premtja, pas njoftimeve për bastisje masive nga Shërbimi i Imigracionit dhe Doganave në disa lagje të qytetit. Protestat, që kulmuan në fundjavë, çuan në vendimin e Presidentit Donald Trump për të dislokuar 2,000 trupa të Gardës Kombëtare në zonë, veprim ky që u kundërshtua ashpër nga autoritetet vendore.

Sipas mediave amerikane, bastisjet u kryen në distriktin Westlake dhe në qytetin Paramount, një zonë me mbi 82% popullsi hispanike. U raportua gjithashtu për një bastisje në një dyqan Home Depot, por zyrtarët më vonë mohuan që një ngjarje e tillë kishte ndodhur.

Në një deklaratë për CBS, Shërbimi i Imigracionit dhe Doganave konfirmoi arrestimin e 44 emigrantëve pa dokumente në një vend pune të premten, ndërsa 77 të tjerë u arrestuan në zona të tjera të Los Angeles-it po atë ditë. Operacionet janë pjesë e një fushate më të gjerë që administrata Trump kishte urdhëruar, me synimin për të kryer deri në 3,000 arrestime në ditë.


Pas bastisjeve, qindra protestues u mblodhën përpara Ndërtesës Federale në qendër të qytetit, pasi dyshohej se të ndaluarit po mbaheshin aty. Tensionet u rritën kur turma e protestuesve nisi të godasë ndërtesën me objekte dhe të spërkasë grafite në muret e saj, duke detyruar policinë të shpallë protestën si një tubim të paligjshëm.

Përshkallëzimi i situatës detyroi Presidentin Donald Trump të autorizojë dislokimin e Gardës Kombëtare në Los Angeles, duke përdorur një dispozitë ligjore që lejon ndërhyrjen federale në rastet kur “ka rebelim ose kërcënim për rebelim kundër qeverisë” ose kur autoritetet shtetërore nuk arrijnë të sigurojnë rendin publik.

Ky vendim u kundërshtua nga Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Neësom, dhe Kryetarja e Bashkisë së Los Angeles-it, Karen Bass, të cilët e cilësuan ndërhyrjen si të panevojshme dhe provokuese. Presidenti ka paralajmëruar gjithashtu se mund të thërrasë edhe trupa të Marinës, nëse situata përkeqësohet më tej.

Megjithëse Trump nuk e ka përdorur zyrtarisht Akti i Kryengritjes të vitit 1807, një ligj që lejon presidentin të aktivizojë ushtrinë në raste trazirash të brendshme. Trump ka deklaruar se protestat përbëjnë një formë rebelimi ndaj autoritetit federal. Ky akt është përdorur historikisht në raste të jashtëzakonshme, përfshirë trazirat racore të vitit 1992 pas lirimit të katër policëve për rrahjen e afro-amerikanit Rodney King.

Ndërsa situata mbetet e tensionuar, organizatat për të drejtat e njeriut dhe përfaqësues të komuniteteve imigrante kanë bërë thirrje për qetësi dhe respektim të të drejtave themelore të qytetarëve dhe emigrantëve.