Shakira ka konfirmuar se do të sjellë turneun e saj rekordthyes “Las Mujeres Ya No Lloran” edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Ylli kolumbian, që aktualisht performon në Amerikën e Veriut, po thyen rekorde duke tejkaluar në shitje bileta dhe fitime emra si Beyoncé dhe Lady Gaga.
Duke folur për The Sun, Shakira tregoi se shfaqjet në stadiume janë frymëzuar pikërisht nga Beyonce. “Kur e pashë në Hard Rock Stadium, thashë me vete: Sa e mrekullueshme do të ishte të performoja këtu një ditë. Dhe ja ku jam sot”, tha ajo për turmën në Miami, shkruan DailyMail.
Fillimisht planifikuar për arena, koncertet u zhvendosën në stadiume për të përmbushur kërkesën e lartë. Show-i është i pasur me pamje spektakolare, kostume të shumta, të ftuar specialë dhe hapet me një video simbolike që shfaq një version të saj të rikonstruktuar, si metaforë për sfidat personale që ka përjetuar.
Në vitin 2023, Shakira u përball me një çështje tatimore dhe një ndarje të bujshme nga Gerard Pique. “Vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta. Por, rrëzimi është fillimi i një rruge më të mirë”, tha ajo gjatë koncertit.
Edhe pse 48 vjeç, ajo mban energjinë e lartë përmes stërvitjes së përditshme, fizioterapistëve dhe një regjimi ushqimor të shëndetshëm.
Së fundmi, ajo është detyruar të anulojë disa koncerte në SHBA për shkak të problemeve logjistike, përfshirë eventin WorldPride në Washington DC. “Jam e shkatërruar që nuk mund t’i realizoj këto shfaqje, por premtoj se do të rikthehem sa më shpejt”, u shpreh këngëtarja.