Aktorja kubane-spanjolle Ana de Armas ka mahnitur sërish publikun, këtë herë si fytyra e fushatës më të re të bizhuterive luksoze të Louis Vuitton.
Në setin fotografik të koleksionit “Virtuosity”, 37-vjeçarja u shfaq me një fustan të zi prej lëkure pa rripa, e stolisur me bizhuteri të çmuara dhe diamante që theksonin bukurinë e saj eterike.
Në mesin e aksesorëve që mbante, spikat gjerdani Apogee i përbërë nga ari i bardhë, i zbukuruar me një smerald brazilian prej 30.75 karatësh, si dhe gjerdani Eternal Sun, me 27 diamante të verdhë dhe një diamant të verdhë të rrallë 14 karatësh, shkruan DailyMail.
E nominuar për çmimin ‘Oscar’ dhe ambasadore e Louis Vuitton që nga qershori 2023, Ana përforcon statusin e saj si ikonë mode ndërkohë që vazhdon të ngjitet në majat e Hollywood-it me filmin e saj të ri “Ballerina”, një spin-off i sagës “John Wick”.
Në këtë triller aksion që del në kinema të premten, Ana luan rolin e balerinës Eve Macarro, e cila ndjek rrugën e hakmarrjes. Filmi, i drejtuar nga Len Wiseman, ka marrë vlerësime pozitive dhe aktualisht renditet me 76% në Rotten Tomatoes.
Ndërkohë, aktori Tom Cruise, i cili po përflitet për një lidhje të mundshme me Anën, e ka quajtur filmin “të jashtëzakonshëm” dhe ka vlerësuar aftësitë e saj në një intervistë të fundit, duke e përshkruar si “shumë të talentuar” dhe “shumë të zojën në aksion”.
E pyetur për këto komente gjatë premierës së filmit në Los Angeles, Ana u shpreh: “Më bën krenare që dikush si ai e vlerëson punën time. Është shumë e veçantë”.
E ndonëse është përfolur shpesh për jetën e saj private, Ana de Armas tregon se është më e vendosur se kurrë për të ruajtur kufijtë mes jetës personale dhe asaj publike.