Kurti: Siguria nacionale në Kosovë më e fortë se asnjëherë më parë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se siguria nacionale në Republikën e Kosovës është përforcuar si asnjëherë më parë, falë bashkërendimit institucional, bashkëpunimit profesional dhe ndërveprimit operacional mes institucioneve të inteligjencës, sigurisë dhe drejtësisë përcjell KosovaPost.

Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se masat e ndërmarra kanë bërë që siguria të shtrihet në tërë territorin e vendit, me theks të veçantë në katër komunat veriore, ku më parë problemet ishin më të theksuara.

Kurti vlerësoi se përparimi më i madh është bërë në katër komunat në veri, ku më herët dominonte, siç e quajti ai, “ndikimi destabilizues i Serbisë”.

Ai përmendi heqjen e barrikadave, luftimin e kontrabandës, mbylljen e rrugëve ilegale dhe strukturave paralele, si dhe shpalljen e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si grupe terroriste.

Sipas Kurtit, këto janë arsyet kryesore që tregojnë përparimin:

Siguri në gjithë territorin, përfshirë komunat në veri, ku tashmë garantohet lëvizja e lirë dhe sundimi i ligjit.

Reduktimi i ndikimit të Serbisë, përmes neutralizimit të strukturave ilegale dhe zvogëlimit të kapaciteteve destabilizuese.

Lufta kundër grupeve kriminale e terroriste, përfshirë shpalljen si organizata terroriste të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”.

Menaxhimi i situatave të ndjeshme, si sulmi terrorist në Banjskë dhe sulmet në infrastrukturë në veri.

Zbulimi i rrjeteve të inteligjencës serbe, me arrestime konkrete në vitet 2024 dhe 2025.

Rënie e ndikimit të Listës Serbe dhe rritje e pluralizmit në komunitetin serb në Kosovë.

Parandalimi i kontrabandës dhe drogës, me shkatërrimin e laboratorëve dhe ndalimin e trafikimit.

Niveli i ulët i kërcënimeve nga terrorizmi fetar dhe ndikimet e jashtme, me Kosovën që ka ndikimin më të ulët të Rusisë, Kinës dhe Iranit në rajon.

Rritje e bashkëpunimit me NATO-n dhe BE-në, si dhe përmirësim i kapaciteteve të brendshme të sigurisë.

The post Kurti: Siguria nacionale në Kosovë më e fortë se asnjëherë më parë appeared first on Kosovapost.net.