Gjermania planifikon shtim të bunkerëve mes frikës nga një sulm rus

Gjermania po bën plane për të zgjeruar me shpejtësi rrjetin e saj të bunkerëve dhe strehimoreve të papërshkueshme nga bombat, ka thënë zyrtari më i lartë i qeverisë për mbrojtjen civile, duke paralajmëruar se shteti duhet të jetë i përgatitur për një sulm nga Rusia brenda katër viteve të ardhshme.

Ralph Tiesler, kreu i Zyrës Federale të Mbrojtjes Civile dhe Ndihmës në Fatkeqësi (BBK), ka thënë se ekonomia më e madhe e Evropës duhej të zgjohej ndaj realitetit të konfliktit dhe se në gjendjen e saj aktuale Gjermania nuk është e përgatitur në mënyrë të mjaftueshme.

“Për një kohë të gjatë, në Gjermani ekzistonte një besim i përhapur se lufta nuk ishte një skenar për të cilin duhej të përgatiteshim. Kjo ka ndryshuar. Ne jemi të shqetësuar për rrezikun e një lufte të madhe agresioni në Evropë”, ka thënë ai për gazetën Süddeutsche Zeitung.


Tiesler ka bërë thirrje për një përpjekje kombëtare për të përcaktuar dhe shndërruar tunelet, stacionet e metrosë, garazhet nëntokësore, parqet e veturave dhe bodrumet e ndërtesace publike në strehimore mbrojtëse për të “krijuar shpejt hapësirë ​​për 1 milion njerëz”. Ai ka thënë se agjencia e tij do të paraqesë një plan gjithëpërfshirës më vonë këtë verë.

Sipas tij, vendi është në një garë me kohën dhe mbështetja në ndërtimin e objekteve të reja bunkerësh është e pamjaftueshme. Strehimore të tilla do të kërkonin shumë kohë për t’u planifikuar dhe ndërtuar dhe do të ishin shumë të kushtueshme, ka thënë Tiesler.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka shkaktuar frikë në vende të tjera, veçanërisht në shtetet baltike, por edhe në Poloni dhe Gjermani, se Moska mund të hapë fronte të reja në Evropë.

Nga rreth 2,000 bunkerë në Gjermani dhe dhoma mbrojtjeje të mbetura nga Lufta e Ftohtë, vetëm rreth 580 janë në gjendje pune dhe shumica kanë nevojë për rinovime multimilionëshe.

Ato mund të strehojnë rreth 480,000 njerëz, vetëm gjysmë përqind e popullsisë gjermane. Në krahasim, sipas BKK-së, Finlanda ka 50,000 dhoma mbrojtjeje, që përbëjnë hapësirë ​​për 4.8 milionë njerëz, ose 85% të popullsisë së saj.

Tiesler ka thënë se duhen bërë përpjekje edhe për përmirësimin e sistemeve të informacionit, siç janë aplikacionet dhe sinjalistika rrugore, për të ndarë me publikun saktësisht se ku mund të kërkojnë strehim, si dhe për përmirësimin e sirenave paralajmëruese. Ai ka shtuar se aplikacionet ekzistuese paralajmëruese gjithashtu duhet të mbrohen më mirë nga hakerat. /Abcnews.al