Na la të pakënaqur rezultati, por jo Kombëtarja

Pas barazimit pa gola mes Shqipërisë dhe Serbisë mbrëmjen e djeshme në “Air Albania”, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale, duke shprehur përkrahjen e tij për Kombëtaren shqiptare.

Kurti vlerësoi paraqitjen e kuqezinjve, duke theksuar se me pak më shumë fat në fund të pjesës së parë, Shqipëria do të kishte mundur të siguronte një fitore të rëndësishme.

“Pritjet ishin të mëdha, vëmendja gjithashtu! Me pak më shumë fat në fund të pjesës së parë, mund të kishim marrë të tri pikët nga ndeshja. Andaj, barazimi na la të pakënaqur me rezultatin, por jo me kombëtaren, e cila luajti më mirë se kundërshtari i saj,” – shkroi Kurti.


Në përfundim, ai u shpreh i bindur në suksesin e Shqipërisë në përmbyllje të fazës kualifikuese për Kupën e Botës 2026:

“Në fund të këtyre kualifikimeve jemi të bindur se Shqipëria do të triumfojë.”

Ndeshja e mbrëmshme, e zhvilluar në një atmosferë të zjarrtë dhe me interes të jashtëzakonshëm, ishte pjesë e kualifikueseve për Botërorin e ardhshëm, dhe përfundoi me rezultatin 0-0.