Mos-konstituimi i Kuvendit, Koci vazhdon protestën nesër, thotë se edhe do të flej para Kuvendit

Avokati Arianit Koci do të vazhdojë sërish protestën te Kuvendi i Kosovës për shkak të mos-konstituimit të tij nga deputetët, shkruan Reporteri.net.

Në një postim në Facebook ai ka thënë se qëndrimi i tij gjatë javës, duke filluar nga nesër, do të jetë edhe ditën edhe natën, ku ka theksuar se edhe do të flej aty.

“Do të largohem vetëm për gjykime apo angazhime profesionale të pashmangshme, që lidhen me mbrojtjen ligjore të klientëve”, thotë Koci.


Postimi i plotë:

🟥 Protesta vazhdon

Të hënën, më 9 qershor 2025, në ora 10:45, vazhdoj me protestë para Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Qëndrimi im do të jetë i pandërprerë gjatë gjithë javës – ditën dhe natën (flej para Kuvendit) – deri të premten, pas përfundimit të seancës.

Do të largohem vetëm për gjykime apo angazhime profesionale të pashmangshme, që lidhen me mbrojtjen ligjore të klientëve.

Ky përjashtim nuk e zbeh protestën – përkundrazi, e bën më të qartë dallimin midis përmbushjes së përgjegjësive dhe mosveprimit institucional.

Kërkesa është e vetme dhe e qartë:

Funksionalizimi i Kuvendit.

Zvarritja nuk është më çështje politike.

Është një formë e paralizës institucionale që po dëmton besimin qytetar, ekonominë dhe funksionimin e shtetit.

Shteti po shkatërrohet!

🟩 Ftohen mediat që ta përcjellin këtë protestë publike – që nuk përfaqëson interes personal apo partiak, por është thirrje për përgjegjësi dhe veprim institucional.

P.S.
Këtë javë është një prej gjykimeve më të rëndësishme në Kosovën e pasluftës: gjykimi i personave të akuzuar për sulmin terrorist në Banjska, ku u vra në detyrë, duke e mbrojtur integritetin territorial të Kosovës – heroi polici Afrim Bunjaku.

Une jam përfaqësues i familjes së rreshterit të ndjerë Bunjaku!

Bëjeni share (shpërndajeni) ju lutem!