Trazira në Los Angeles, Trump urdhëron ndërhyrjen e Gardës Kombëtare

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar dërgimin e Gardës Kombëtare në qytetin e Los Angeles, pas trazirave që kanë shpërthyer për shkak të protestave të ndërmarra nga autoritetet federale të emigracionit.

Vendimi vjen pas ditës së dytë me përplasje në një lagje në qytetin e Los Angeles, ku banorët janë përballur me agjentët e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave. Në zonën e Paramount janë përdorur gaz lotsjellës dhe mjete “më pak vdekjeprurëse” për shpërndarjen e turmave.

“Kur protestat apo aktet e dhunës pengojnë zbatimin e ligjeve, ato përbëjnë një formë rebelimi kundër autoritetit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara”-tha Trump në një deklaratë.


Ai tha se njësitë e Gardës Kombëtare do të angazhohen për të “mbrojtur përkohësisht” agjentët federalë të emigracionit.

Nga ana tjetër, guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, reagoi në rrjetet sociale duke thënë:

“Qeveria federale po merr kontrollin e Gardës Kombëtare të Kalifornisë dhe po dërgon 2,000 ushtarë në Los Angeles — jo sepse mungon forca e rendit, por sepse kërkojnë spektakël. Mos ua jepni. Mos përdorni dhunë. Reagoni paqësisht.”
Policia e Los Angelesit (LAPD) ka dhënë urdhra për shpërndarje të turmave përreth një qendre paraburgimi në qendër të qytetit.

“Disa persona janë ndaluar pasi nuk i janë bindur urdhrave për t’u shpërndarë, të cilët janë dhënë disa herë,” thuhet në deklaratën e njësisë qendrore të LAPD.

Autoritetet kanë autorizuar përdorimin e mjeteve jo-vdekjeprurëse, të cilat, sipas tyre, “shkaktojnë dhimbje dhe shqetësim”.