Të krijohet Këshill Ndërpartiak për të shpëtuar Kosovën nga kaosi politik

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër sot pas dështimit të 28-të për konstituimin e Kuvendit, duke thënë se Kosova është duke u qeverisur nga rrjete informale të pushtetit, dhe jo nga rendi kushtetues.

Ajo e ka cilësuar qeverisjen aktuale si të zhytur në populizëm, improvizim dhe mungesë të thellë konsensusi kombëtar.

Musliu ka propozuar krijimin e një Këshilli Ndërpartiak të Politikave Kombëtare, një forum joformal, por i strukturuar, që do të përfshinte përfaqësues nga të gjitha partitë parlamentare për të trajtuar çështje madhore si dialogu me Serbinë, reforma në drejtësi, integrimi evropian dhe arsimi.


Postimi i saj i plotë:

Të dashur bashkëqytetarë,

Ju që ende besoni në betimin për një Republikë të pavarur të Kosovës,

Në klimën e sotme politike të dominuar nga fragmentimi, tepria populiste dhe plogështia institucionale, Kosova veç ka hyrë në një fazë ku qeverisja formale minohet vazhdimisht nga rrjetet informale dhe mosbesimi në rritje i shoqërisë ndaj institucioneve.

Mungesa e koordinimit kombëtar mbi çështjet kritike strategjike po e kërcënon jo vetëm hartimin e politikave koherente, por edhe legjitimitetin afatgjatë të vetë shtetit.

Ideja e dialogut të strukturuar ndërpartiak shpesh është pritur me skepticizëm, është hedhur poshtë si elitist ose si i shkëputur nga konkurrenca politike partiake. Megjithatë, kostoja e mosfunksionimit të vazhdueshëm është bërë e padurueshme.

Prandaj sot, dua të ndaj me ju bindjen time: Pse Kosova ka nevojë për lidership me strukturë, jo me slogane.

Ne po jetojmë në një kohë ku kaosi nuk është më thjesht mungesa e sistemit –vetë sistemi është shndërruar në kaos.
Në këtë kaos, shumë veta dhe shumë gjëra lulëzojnë, por vetëm qytetarët jo.

Inatet e Albinit, së bashku me mungesën e vizionit politik, shpërfaqin pasojat më të shëmtuara të mungesës së konsensusit politik kombëtar. Situata e krijuar po nxjerr në pah se edhe në një demokraci parlamentare, një person mund t’i mbajë peng të gjitha institucionet demokratike duke e bllokuar kështu politikën e Kosovës në një cikël populizmi dhe improvizimi. Çdo gjë është shndërruar në një spektakël; çdo propozim trajtohet si i ricikluar, çdo përpjekje institucionale shpërfillet si naive. Por nën zhurmën dhe rutinën e përditshme fshihet një e vërtetë më e thellë që më së miri përshkruhet në thënien: “Sa më kaotik të jetë sistemi, aq më e organizuar bëhet nëntoka”.

Le të mos heshtim para këtij realiteti sepse sot, nuk është kushtetuta në bazë të së cilës ne qeverisemi, por janë rrjetet informale të pushtetit ato që vendosin për fatin dhe të ardhmen tonë. Nuk është meritokracia, por servilizmi. Nuk është sundimi i ligjit, por ofrimi i favoreve. Nëse vazhdojmë të pretendojmë të kundërtën, rrezikojmë ta humbasim shtetin para se të përmbyllim procesin e ndërtimit të tij.

Kjo është arsyeja pse unë kam mbështetur prej kohësh – dhe vazhdoj të mbështes – krijimin e një Këshilli Ndërpartiak të Politikave Kombëtare me këto karakteristika kryesore:

• Mandati: Të ofrojë konsultime të strukturuara, konfidenciale dhe jo-detyruese mbi çështjet kryesore kombëtare – dialogun me Serbinë, reformën e sundimit të ligjit, integrimin evropian, politikat arsimore dhe jo vetëm.

• Përbërja: Një përfaqësues nga secila parti parlamentare, i rinovueshëm me secilën legjislaturë, i kryesuar në një bazë rotative gjashtëmujore.

• Korniza: Mbështetur nga një sekretariat i integruar brenda Kuvendit ose Presidencës për të siguruar vazhdimësinë dhe memorien institucionale.

• Masat mbrojtëse: Mbledhjet të mbahen jashtë protokollit(kjo mund të shqyrtohet për shkak të transparencës), me procesverbale të arkivuara për llogaridhënie. Anëtarët të nënshkruajnë deklaratën për të evituar konfliktin e interesit.

Pse është i nevojshëm një këshill i tillë:

• Zvogëlon kapjen institucionale. Një forum ndërpartiak kufizon dominimin individual të një lideri apo të një partiembi çështjet kombëtare dhe frenon ndërmjetësimin e pushtetit në hije.

• Rikthen besimin qytetar. Një koordinim i strukturuar sinjalizon se partitë mund dhe duhet të vendosin interesin e shtetit mbi përfitimet partiake apo individuale.

• Krijon stabilitet pa cenuar qeverisjen institucionale. Është një mekanizëm konsultimi i projektuar për të parandaluar unilateralizmin dhe fragmentimin. Është një mekanizëm që ofron konsensus politik për çështjet me interes kombëtar.

Jam shumë e vetëdijshme që ky propozim do të kundërshtohet- veçanërisht nga ata që përfitojnë nga pasiguria dhe kaosi. Por mosveprimi jonë vetëm sa e forcon kontrollin e tyre. Një Këshill i Politikave Kombëtare funksionale, brenda kuvendit që përbehet nga të zgjedhurit e popullit dhe që nuk ka implikime buxhetore e bën më të vështirë shfrytëzimin e çështjeve të ndjeshme për përfitime politike afatshkurtra dhe në të njëjtën kohë e bënë më të lehtë nxitjen e një kulture të përgjegjësisë së përbashkët. Duke qenë se nuk ka përfitime financiare, jam e bindur se në këtë këshill do të përfshiheshin deputetët më të denjë të secilës parti parlamentare duke pasur parasysh se qëllimi i tij i vetëm është të ruajë koherencën kombëtare në tema të ndjeshme si reforma në drejtësi, dialogu, arsimi dhe siguria etj., – duke parandaluar abuzimin e prioriteteve kombëtare si armë afatshkurtra të partive.