Xhavit Haliti, anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka folur lidhur me ngërçin politik në vend.
Ai ka thënë se në vend ngërçi nuk ka qenë praktikë, ani pse në politikë nuk është diçka e re, por në Kosovë nuk është praktikuar më parë.
“Është e drejtë e qytetarëve dhe atyre që kërkojnë që të bëhen institucionet sa më shpejt, por në anën tjetër beteja politike mes pozitës dhe opozitës është betejë legjitime e të dyja palëve, të cilat përpiqen që të përfitojnë nga kjo situatë për të qenë më afër pushtetit, ose më mirë me thënë për ta marrë pushtetin, sepse në betejat politike të gjitha partitë politike luftojnë për pushtet, nuk luftojnë për shtet, qysh po deklarohen disa. Shteti i ka themelet e veta dhe i ka mekanizmat dhe organizatat e veta që e mbrojnë dhe që merren me këto çështje”, ka deklaruar Haliti në RTV Dukagjini.
Haliti tutje është shprehur se do të duhej të kishte një marrëveshje politike të të gjitha partive, që ose të krijohen institucionet, ose të gjendet një rrugë të cilën askush s’mund ta deklarojë dhe askush s’mund ta detyrojë dikë për të shkuar në zgjedhje të lira të jashtëzakonshme.
“Në anën tjetër, mendoj që në Kuvendin e Kosovës, sipas vendimeve dhe sugjerimeve të Gjykatës Kushtetuese, deputeti i zgjedhur nga populli ka tri mundësi: të votojë për, kundër, ose të abstenojë. Çdo veprim tjetër, mendoj se nuk e justifikon të qenit në sallë.”
Më tej, Haliti ka thënë se mospjesëmarrja në votim fare nga partitë është një praktikë e trashëguar, e pazbatuar asnjëherë sipas udhëzimeve që ka dhënë Gjykata Kushtetuese.
“Tani, meqë asnjëherë nuk është zbatuar ajo, po vazhdon me të njëjtin avaz dhe unë po mendoj që kështu do të shkojë deri në një vendim të dytë”, ka thënë Haliti.
Ai tutje është shprehur se pritjet e tij kanë qenë që njëra nga partitë e mëdha do të gjejë mundësinë që të hyjë në koalicion.
“Koalicionet nuk bëhen vetëm në Kosovë mes partive kundërshtare… partitë politike duhet me bë një zgjidhje, me shku më tutje, me qit hapin tjetër”, ka thënë ai.