Rama rrëfen momentin me arkitektin japonez: Për arkitekturë të mrekullueshme duhet të edukojmë pak më shumë investuesit

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ 150 arkitektë ndërkombëtarë nga Europa, Azia, Amerika Veriore e Jugore, të cilët punojnë në Shqipëri, së bashku me partnerët janë mbledhur në Tiranë për Festivalin “Bread & Heart”.

Pasditen e sotme ka nisur pjesa e dytë e punimeve të këtij festivali, me diskutime të reja. Një prej arkitektëve më në zë, japonezi Toyo Ito, nuk mundi që të ishte fizikisht pjesë e këtij festivali në kryeqytet, por ai u bashkua përmes një videomesazhi, ndërsa foli edhe për dy projektet e tij në Shqipëri.

“Festivali më ka ftuar, për fat të keq nuk do të jem në gjendje të marr pjesë për shkak të gjendjes së këmbëve të mia, por jam i përfshirë në dy projekte. Në masterplan rezidencial. Të dyja janë projekte entuziazmuese. Rama më kërkoi të shprehja mendimet e mia në mënyrë sa më të plotë, që më dha shumë kurajo dhe do doja të bëja maksimumin. Një miku im më tha dikur ‘civilizimi është ndarja nga toka, ndërsa kultura është hyrja në tokë’ kultura i ka rrënjët në Tokë, unë i besoj fort kësaj. Mendoj se projekti shqiptar është mjaft tërheqës dhe në kontakt me tokën. Arkitektura moderniste ka prirje të shkëputet nga toka më shumë, dhe Tokio nuk bën përjashtim, por kam shumë shpresa për Shqipërinë në këtë drejtim. Ky festival do të krijojë rezultate të shkëlqyera”, tha ai.

Menjëherë pas mesazhit të Ito, edhe kryeministri Rama mori për pak çaate fjalën duke treguar dhe bisedën që ka pasur me arkitektin për punët e tij në vendin tonë.

Në ndërhyrjen në sesionin e dytë, pas fjalë së arkitektit japonez Toyo Ito, Rama u shpreh se nuk mund të rrinte dot pa ndarë diҫka për mjeshtrin.

“Dua t’ju them pse ai thotë që ‘më la të shprehja mendimet e mia në mënyrën më të plotë të mundshme’”, u shpreh Rama duke treguar për të pranishmit bisedën me arkitektin.

“Patëm një bisedë përmes zoom-it ku po prezantohej projekti. Masterplani ishte fiks sa ky rreth ku kishte një sërë rrathësh të tjerë dhe pastaj kishte një nivel të dytë ndërtese që ishin të gjitha të mbuluara nga retë. Ishte shumë e qartë që se ҫkishte diҫka që nuk shkonte, sepse gjithҫka që ishte e qartë dhe e dukshme ishte shumë e natyrës së Toyo Ito-s, por ndërkohë ky niveli i dytë i ndërtesave të tjera nuk ishin fort tipike të Toyo-Ito-s. E pyeta dhe i thashë ҫfarë mendon për këtë nivel të dytë”, tregoi Rama.

“Duke iu kthyer historisë me gansterë të Semit, instikti më tha që kjo ishte punë e klientit dhe ai në një mënyrë tipike japoneze më tha “kjo është për të përshtatur plotësisht kërkesën e klientit”. I thashë po nëse i heqim fare ndërtesat me re dhe lëmë vetëm atë ҫfarë është në shtresën e parë? Ra heshtja dhe pas heshtjes erdhi pyetja. A është e mundur? I thashë varet nga ty, është vendimi yt. Kështu që vendimi u mor me një prerje gati thike japoneze dhe masterplani është i mrekullueshëm tani, është plotësisht Toyo Ito”, tha Rama.

“Shqipëria nuk mori këtë po themi të ashtuquajtur njollë turpi për të ndërhyrë në mënyrën e të menduarit të Toyo Ito-s dhe prandaj Toyo Ito tha falemnderit apo më mirë që tha për t’u shprehur plotësisht”, theksoi Rama.

“Unë po i ndjek të gjitha diskutimet. Është shumë e qartë që ka ende hapa të tjerë për t’u hedhur për të përqafuar plotësisht ambicien për të ndërtuar arkitekturë të mrekullueshme, me edukimin pak më shumë të investuesve. Është e dhimbshme por edhe këtë hap duhet ta ndërmarrim”, tha Rama.