Kthimi nga Siria: Pritja për nipërit e mbesat që nuk i njohën kurrë (Video)

Hajdar Selimoviçit kishte shkuar në Qendrën për Mbrojtjen e të Huajve, për ta takuar nipin e tij, pas katër viteve qëndrimi në Siri.

Me 2014, i biri i tij shkoi të luftojë në Siri, dhe bashkë me vete mori edhe gruan e tij që ishte shtatzënë. Edhe pse i biri iu vra në luftë, atë e gëzoi ardhja e trashëgimtarit të tij.

“E kam në fotografi se ai ka shku atje tre muajsh. Djali më ka vdek, e reja u kthye me djalë. Kam rrotullu çdo gur vetëm me ardhë dita e sotit”, tha Selimoviç.

Në fshatin Vranidoll, pak kilometra pak kilometra larg Prishtinës, në Qendrën për Mbrojtjen e të Huajve, ku po mbahen personat që janë kthyer nga Siria, ka ardhur edhe Selim Demolli, të cilit kthimi i fëmijëve të djalit dhe nusja po ia lehtësojnë dhimbjen e djalit që u vra.

“Nuk po ndjehem mire, pasi djali nuk u kthye, ai ka vdek atje. Mirëpo pasi u kthye fëmijët pak ma mirë diçka”, tha Demolli.

Familjarët do të mund t’i shohin të kthyerit nga Siria, pas 72 orëve qëndrim në Qendrën për Mbrojtjen e të Huajve.

Në mesin e fëmijëve shumica e tyre janë me vetëm njërin prind (nënë), ndërsa 9 fëmijë u kthyen pa asnjërin prind.

Duhet theksuar se më shumë se 400 qytetarë të Kosovës, kryesisht të rritur, kanë shkuar në gjashtë-shtatë vjetët e fundit në Siri dhe Irak për të luftuar në anën e grupit militant Shteti Islamik.

Më shumë se 70 prej tyre janë vrarë, ndërkohë që shumë gra dhe fëmijë kanë vazhduar të mbeten në atë zonë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës në muajin shkurt, në zonën e konfliktit në Siri kanë qenë 44 gra dhe 48 fëmijë kosovarë.

Numri i luftëtarëve kosovarë që mbeten ende në zonën e konfliktit është 56, ka thënë Policia e Kosovës më 25 shkurt.

Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet burgim.

https://www.facebook.com/tvdukagjiniofficial/videos/1161652247374640/