Gjermania “shtrëngon” ligjet e imigracionit, ndalon bashkimin familjar për këta persona

Qeveria gjermane planifikon të zbatojë një marrëveshje koalicioni javën e ardhshme për të forcuar më tej ligjet e imigracionit, të cilat përfshijnë heqjen e procedurës së përshpejtuar për marrjen e nënshtetësisë gjermane dhe ndalimin e bashkimit familjar për njerëzit me mbrojtje shtesë.

“Deri më tani, deri në 1000 njerëz në muaj mund të emigronin në Gjermani si pjesë e programit të bashkimit familjar. Tani ky është fundi”, tha ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt, në një intervistë për Bild.

Ai shpjegoi se në mbledhjen e kabinetit këtë të mërkurë, qeveria do të kalojë ndryshimet në ligj për të cilat është rënë dakord në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë së re, të cilat kanë të bëjnë me ndalimin e programit të bashkimit familjar dhe heqjen e përshpejtuar të marrjes së shtetësisë.

Personat që gëzojnë të ashtuquajturën mbrojtje shtesë në Gjermani nuk do të mund të marrin më anëtarë të familjes në Gjermani.

Personat me mbrojtje shtesë janë personat të cilëve nuk u është dhënë azil por nuk dëbohen sepse kërcënohen me persekutim ose jeta e tyre është në rrezik në vendin e origjinës.

Pasi të pushojë rreziku në vendin e tyre të origjinës, për shembull pas përfundimit të luftës, pushon së zbatuari edhe mbrojtja.

Në të njëjtën kohë, ligji i miratuar së fundmi për marrjen e përshpejtuar të shtetësisë gjermane pas vetëm tre vitesh qëndrimi në Gjermani po shfuqizohet.

“Ne duhet të eliminojmë faktorët që tërheqin refugjatët në Gjermani. Dhe duke e bërë këtë, ne tregojmë se politika e migracionit në Gjermani po ndryshon”, tha Dobrindt.