Paraburgim për katër të dyshuarit për grabitjen në një pompë derivatesh në Pejë

Gjykata e Pejës ka caktuar masën e sigurisë, atë të paraburgimit për 30 ditë për katër të arrestuarit si të dyshuar për një grabitje të armatosur që ka ndodhur më 21.05.2025 në një pompë derivatesh në Pejë.

KALLXO.com kishte raportuar se brenda kësaj pompe derivatesh këta persona nën kërcënimin e një pushke gjahu kryen një grabitje.

Grupi dyshohet se arriti të grabisë 1 mijë euro nën kërcënimin e armës nga një punonjës i pompës së derivateve.

KALLXO.com kishte siguruar dosjen për rastin e personave të arrestuar për këtë ngjarje që u regjistrua më 21.05.2025.

Në rast ishin arrestuar katër persona, secili me role të ndara për të përfunduar grabitjen.

Katër të pandehurit ishin L. Berisha, L. Mekaj, F. Mekaj dhe Sh. Gjonbalaj.

Më 21.05.2025 rreth orës 23:35, në Pejë, rruga “KFOR”, të dyshuarit duke vepruar si anëtarë të grupit dhe me armë, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze kishin hyrë brenda pompës së derivateve.

I pandehuri L. Mekaj kishte marrë një pushkë gjysmë-automatike, i pandehuri L. Berisha kishte marrë veturën të cilës ia ka hequr targat dhe më pas i kanë ndarë rolet.

Sipas dosjes, i pandehuri Sh. Gjonbalaj ka vozitur veturën, i pandehuri L. Berisha është ulur përpara dhe ka marrë pushkën, ndërsa të pandehurit L. Mekaj dhe F. Mekaj janë ulur prapa në veturë dhe me të arritur te pompa e derivateve i kanë mbuluar fytyrat.

Pastaj, i pandehuri Sh. Gjonbalaj e ka ndalur veturën gjersa nga ajo kanë dalë të pandehurit, prej tyre L. Berisha me pushkë në dorë.

Ata janë futur brenda dhe kanë bërtitur “plaçkë”, ku i pandehuri L. Berisha ia ka drejtuar armën dhe të pandehurit i janë drejtuar të dëmtuarit me fjalët “qiti paret” dhe kanë arritur që t’ia marrin shumën rreth 1 mijë euro, janë futur në veturë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa paratë i kanë ndarë përgjysmë.

Armën pretendohet se e ka siguruar L. Mekaj.

I njëjti pasi kishin kryer grabitjen sipas dosjes armën e kishte dërguar në garazhin e shtëpisë.

Arrestimi i të dyshuarve u bë disa ditë pas ngjarjes që u regjistrua.

Personat e dyshuar u identifikuan pas informacionit dhe raportimit të punëtorit të pompës së derivateve për grabitjen e armatosur.