Sindikata e “Pastrimit”: Greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e plotë të kërkesave

Greva e punëtorëve të kompanisë rajonale “Pastrimi” po vazhdon edhe këtë fundjavë, me protestuesit që po qëndrojnë përpara objektit të Komunës së Prishtinës, duke kërkuar realizimin e kërkesave të tyre.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve, Ardian Krasniqi, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se greva nuk do të ndërpritet deri në përmbushjen e plotë të kërkesave, përcjell Periskopi.

“Sot, me datë 25 maj 2025, ditë e diel dhe ditë vikendi, ne vazhdojmë të qëndrojmë në grevë. Greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e plotë të kërkesave tona nga ana e Komunës së Prishtinës,” ka shkruar Krasniqi.

Ai ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen, si dhe gazetarët për, siç tha ai, raportimin e saktë dhe të paanshëm mbi kërkesat e punëtorëve.

“Ne mbetemi të vendosur dhe stoikë në kërkesat tona – Greva vazhdon!”, përfundoi ai.