Incidenti në veri, drejtori i Policisë: Maturanti s’pati lëndime, “gjakosja” ishte ngjyrë, po i hetojmë veprimet e policëve tanë

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha foli në një konferencë për media për incidentin e para dy ditëve në Mitrovicën e Veriut – ndaj të cilit reagoi një pjesëtar i Policisë së Kosovës që ndodhej në afërsi.

Ai u akuzua për përdorim të dhunës, ndërsa drejtori i Policisë tha se raportimet e disa mediave serbe ishin të pasakta.

Policia e Kosovës, Hoxha tha se ka qenë e pranishme gjatë këtij aktiviteti për të mbështetur zhvillimin e tij “të qetë” dhe “pa incidente”.

“Gjatë zhvillimit të defilimit, saktësisht te pjesa e kafeterive, disa pjesmarrës kanë filluar t’i provokojnë qytetarët që kanë qenë ulur në kafeteri me thirrjet ‘Kosova është zemra e Serbisë’ dhe duke bërë simbolin me tre gishtërinj. Në këto rrethana, me qëllimin e vetëm që situata të mos përshkallëzohej në mes të nxënësve dhe qytetarëve që kanë qenë në kafeteri, kanë ndërhyrë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë qenë të caktuar për mbarëvajtjen e këtij manifestimi”, tha ai.

Për veprimet e zyrtarëve policorë, ai tha se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të kryer hetimet dhe ekzaminimet e nevojshme, ku janë sqaruar të gjitha rrethanat dhe veprimet e zyrtarëve tanë policorë. Janë evidentuar imazhet e shfaqura për personit në hapësirën e qafës ku pretendohej se kishte gjak. Ka rezultuar të jetë ngjyrë e vendosur nga shokë te tij të klasës. Në këto imazhe është vërtetuara se shenjat me ngjyrë në qafë, i njëjti i kishte pasur edhe para veprimit apo para intervenimit të zyrtarëve tanë policorë”, tha ai.

Një maturant, i cili shihet duke u konfrontuar me një zyrtar policor, dhe ndaj të cilit u raportua se është përdorur dhunë, drejtori i Policisë tha se ka pranuar në stacion policor se shenjat e kuqe në qafën e tij ishin ngjyrë.

“Po ashtu, edhe në deklaratën e tij zyrtarëve në stacionin policor në Mitrovicë, në prezencë të prindit të tij, ka thënë se këto shenja janë të vendosura me ngjyrë markeri nga shokët e klasës së tij, pasi kjo është një traditë e cila sipas tij përdoret në festat e maturantëve në shkollat e mesme në Mitrovicë të Veriut”, tha ai.

Hoxha tha se “i njëjti nuk ka poseduar ndonjë lëndim”.

Lidhur me reagimet ndërkombëtare për këtë incident, Hoxha tha se “partnerët janë në dijeni që për çdo tejkalim të autorizimeve apo detyrave nga cilido pjesëtar i Policisë së Kosovës janë ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme diciplinore”.

“Në lidhje me veprimet e zyrtarëve tanë policorë në rastin specifik, do të trajtohen me seriozitet të gjitha deklaratat dhe pamjet e siguruara nga kamerat në atë zonë, në mënyrë që të zbardhet çdo detaj i menaxhimit që ka bërë i njëjti gjatë këtij aktiviteti policor”, tha ai.