Qytetarët e Kosovës po përballen me një rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve, një inflacion që ka shkaktuar shqetësim të gjerë në opinionin publik.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike nga ky muaj për gjashtëmbëdhjetë pikë një për qind ka nxitur një valë të re shtrenjtimesh në vend, duke e vështirësuar edhe më tej gjendjen ekonomike dhe sociale.
Megjithatë, shumë ankesa janë bërë në rrjete sociale e opinionin publik, por jo edhe në rrugë zyrtare.
Mungesa e besimit në institucionet publike po i mban qytetarët të indinjuar dhe të zhgënjyer, duke bërë që zëri i tyre të mos dëgjohet në rrugë zyrtare.
Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga 1 deri më 23 maj, vetëm katër qytetarë janë ankuar për ngritje të çmimeve, raporton KosovaPress.
“Ngritje çmimi katër ankesa, katër ankesa të pazgjidhura”, thuhet tek lista e ankesave nga konsumatorët për periudhën 1 maj të këtij viti deri me datën 23 maj 2025.
Të tjerë qytetarë për KosovaPress thonë se nuk bëjnë ankesa për shkak se nuk u besojnë institucioneve.
Qytetari Zymer Mramori thotë se rritja çmimit të rrymës ishte e padrejtë dhe e pashoqëruar me masa mbështetëse nga shteti.
Situata nuk është më e lehtë as për qytetarin, Nazmi Metolli, i cili thotë se çmimet janë rritur në të gjitha produktet, veçanërisht ato të cilat janë të nevojshme çdo ditë.
Një tjetër qytetare, Elmije Berisha, thotë se për shkak të rritjes së çmimeve, e kanë të vështirë të furnizohen me produkte ushqimore, sidomos me ato të mishit dhe me perime.
Nga ana tjetër, Abid Zymeri kritikon drejtuesit e institucioneve në vend, duke thënë se nuk po ‘mendojnë për qytetarët’
Pas shtrenjtimit të kafesë, një gastronom në Prishtinë po paralajmëron se do të ketë rritje të çmimit edhe për shërbime ushqimore.
Ndërsa, se ka rënie të numrit të qytetarëve që po frekuentojnë restaurantet dhe kafiteritë, e thotë edhe menaxheri i këtij biznesi në kryeqyetet, i cili ka dashur të mbes anonim.
Ajo bënë të ditur po ashtu se kanë marrë informacione nga furnitorët që kanë kërkesë të madhe për furnizim të aparateve të vegjël nëpër zyra të punës, për të pirë kafen brenda ambienteve të punës, për siç thotë ai “mos me dalë jashtë në kafiteri”.
Ekipi i KosovaPress ka vizituar ditë më parë disa furra dhe dyqane. Shihet se mantia është shtrenjtuar 50 për qind. Një manti nga 0.15 euro, tani në disa furra të Prishtinës çmimi i saj ka arrit 0.20 euro
Bureku është shtrenjtuar 25 për qind. Një burek në Prishtinë në shumicën e furrave është shtrenjtua nga 1.20 euro në 1.50 euro, kurse në disa qytete tjera të Dukagjinit, si në Gjakovë, çmimi i burekut ka arrit deri 1.70 euro.
Buka është shtrenjtuar deri 20 për qind. Një bukë gjysmë kilogramë nga 0.50 euro, në Prishtinë ky çmim ka arrit në 0.60 euro, e në disa vendet të Gjakovës, ka arrit deri 0.80 euro.
Ndërsa edhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej tre për qind në muajin prill 2025, krahasuar me muajin prill 2024. Inflacioni mujor ishte zero pikë dy për qind në muajin prill 2025.