Danimarka pritet të ketë moshën më të lartë të daljes në pension në Evropë, pasi parlamenti i saj miratoi një ligj që e rrit atë në 70 vjeç deri në vitin 2040.
Që nga viti 2006, Danimarka e ka lidhur moshën zyrtare të daljes në pension me jetëgjatësinë dhe e ka rishikuar atë çdo pesë vjet. Aktualisht është 67 vjeç, por do të rritet në 68 në vitin 2030 dhe në 69 në vitin 2035.
Mosha e daljes në pension në 70 vjeç do të zbatohet për të gjithë personat e lindur pas 31 dhjetorit 1970.
Ligji i ri u miratua të enjten me 81 vota pro dhe 21 vota kundër.
Megjithatë, vitin e kaluar kryeministrja socialdemokrate Mette Frederiksen tha se parimi i shkallës rrëshqitëse përfundimisht do të rinegociohej.
“Ne nuk besojmë më se mosha e daljes në pension duhet të rritet automatikisht”, tha ajo, duke shtuar se në sytë e partisë së saj “nuk mund të vazhdosh të thuash se njerëzit duhet të punojnë një vit më shumë”.
Tommas Jensen, një murator 47-vjeçar, i tha medias daneze se ndryshimi ishte “i paarsyeshëm”.
“Po punojmë e punojmë e punojmë, por nuk mund të vazhdojmë”, tha ai.
Ai shtoi se situata mund të jetë e ndryshme për ata që kanë punë zyre, por se punëtorët me profesione që kërkojnë shumë punë fizikisht do ta kenë të vështirë t’i përballojnë ndryshimet.
“Kam paguar taksat gjithë jetën time. Duhet të ketë edhe kohë për të qëndruar me fëmijët dhe nipërit e mbesat”, tha z.Jensen për median DK.