“Sindroma e kokës së varur” – varësia nga telefoni, japonezit për pak sa nuk i humbi jetën

I riu japonez për pak sa nuk vdes nga “sindroma e kokës së varur” pas vitesh qëndrimi në telefon.

Një i ri japonez, vetëm 25 vjeç, përjetoi pasoja të rënda shëndetësore pas shumë vitesh përdorimi të vazhdueshëm dhe të tepruar të telefonit inteligjent. Ai kalonte orë të tëra çdo ditë duke luajtur video-lojëra dhe duke parë ekranin e pajisjes së tij, shpeshherë me kokën të ulur dhe shtyllën kurrizore të përkulur në mënyrë jo natyrale.

Kjosjellje, e përsëritur për vite me radhë, çoi në zhvillimin e asaj që mjekët e quajnë “sindroma e kokës së varur” – një gjendje që shkakton deformime të rënda të shtyllës kurrizore si pasojë e mbajtjes së zgjatur të pozicionit me kokën të përkulur përpara.

 

Në rastin e tij, shtylla kurrizore u përkul në një kënd ekstrem prej 90 gradësh, aq sa një pjesë e saj filloi të dalë përmes lëkurës së shpinës, duke shkaktuar dhimbje të padurueshme dhe rrezik për jetën.

Me kalimin e kohës, ai humbi aftësinë për të mbajtur kokën drejt pa ndihmë dhe kishte vështirësi serioze në kryerjen e funksioneve bazë, siç është gëlltitja. Gjendja e tij u konsiderua alarmante nga mjekët, të cilët theksuan se nëse nuk ndërhyhej me urgjencë, ajo mund të çonte në paralizë apo edhe vdekje.

Operacioni kirurgjikal u bë e vetmja alternativë për shpëtimin e tij. Mjekët realizuan një ndërhyrje të ndërlikuar për të rregulluar strukturën e shtyllës kurrizore dhe për të stabilizuar qafën. Fatmirësisht, operacioni rezultoi i suksesshëm dhe pacienti është në proces rehabilitimi.

Rasti i tij është kthyer në një paralajmërim serioz për rreziqet që sjell përdorimi i tepruar i pajisjeve elektronike dhe mungesa e kujdesit për qëndrimin trupor, sidomos te të rinjtë. Mjekët apelojnë për ndërgjegjësim më të madh dhe ushtrime të rregullta fizike për të parandaluar pasoja të tilla ekstreme.