Bujupi: Ngritja e tarifave për bizneset është shok – është dashur të ndodhë moti

Eksperti i energjisë, Naim Bujupi, ka deklaruar se rritja e tarifave të energjisë elektrike është dashur të ndodhë më herët.

Sipas tij, Kosova është vendi i fundit në rajon që ka filluar me liberalizimin e tregut, një obligim që e ka çdo shtet veç e veç.

Derisa rritja e çmimeve, sipas tij, reflekton gjendjen reale në vend në sektorin e energjisë – edhe për shkak të mungesës së prodhimit vendor.

“Sa i përket çmimeve që sot janë temë diskutimi gjithandej, ato reflektojnë gjendjen reale në tregun e bursave. Këto çmime, normalisht, janë një shok për bizneset, sepse deri më tani janë furnizuar me çmime krejtësisht ndryshe dhe shumë më të lira – çmime të KEK-ut të cilat nuk kanë reflektuar koston reale të çmimit. Nëse KEK-u do ta shiste në treg të hapur, çmimi i megavatit do të ishte mbi 100 euro, e jo sikur ka qenë rreth 30 euro.

Tash, bizneset nuk do të furnizohen me çmime të rregulluara, por me çmime të tregut, që janë shumë më të larta – së paku dyfish. Nuk ka alternativë tjetër përpos tregut të hapur, i cili do të fillojë me biznese, por që në vitet e ardhshme do të prekë edhe konsumatorët tjerë”, ka thënë Bujupi në EURO n’T7

Liberalizimi i tregut, sipas Bujupit, është kërkesë e Bashkimit Evropian dhe nuk mund të shmanget.

Ngritja e tarifave të energjisë për konsumatorët e amvisërisë që furnizohen me çmime të rregulluara, sipas Bujupit, është bërë për shkak se një pjesë e konsumit të brendshëm mbulohet nga importi, ku çmimi i energjisë në bursa është ngritur.