Kallas në KFOR takohet me Barduanin, flasin për sigurinë dhe dialogun

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, është takuar sot në Prishtinë me komandantin e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Major Enrico Barduani.

Takimi u zhvillua në selinë e KFOR-it në Kampin Film City dhe u shoqërua nga dy përfaqësues të lartë të BE-së: Peter Sørensen, përfaqësues special për Dialogun Beograd-Prishtinë, dhe Aivo Orav, përfaqësues special për Kosovën.

Gjatë takimit, palët shkëmbyen pikëpamje në nivelin më të lartë për stabilitetin rajonal, bashkëpunimin mes NATO-s dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor, si dhe për rëndësinë e diplomacisë ndërkombëtare në rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjeneral Barduani theksoi se bashkërendimi i ngushtë mes KFOR-it dhe Bashkimit Evropian mbetet thelbësor për tejkalimin e sfidave të sigurisë dhe garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e vet, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe të pandërprerë për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.