Sot tentativa e 20-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot (e premte) në ora 11:00 në tentativën e 20-të për konstituimin e Kuvendit.

Kuvendi ka njoftuar zyrtarisht se seanca do të nisë në ora 11:00.

Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, mbi një muaj më parë. Bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë dhënë sinjale se do të heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, gjatë kësaj jave deklaroi se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës është vendim i partisë dhe nuk do të tërhiqet.

“Mos ta bëjmë këtë lojë negative. Duhet të respektojmë propozimet e njëri-tjetrit dhe të kemi një kryesi [Kuvendi] të bazuar në meritë”, tha Kurti në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, të transmetuar në mbrëmjen e së martës.

Javën e kaluar VV-ja madje propozoi që seancat të mbahen një herë në javë, e jo çdo 48 orë. Por, kjo u refuzua kategorikisht nga PDK e LDK duke thënë se kërkesa e VV-së është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, e cila parasheh që seanca të thirret brenda 48 orëve.

Ndërkohë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani pati një takim me krerët e partive politike pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituuim të Kuvendit. Në takimin e ftuar nga Osmani morën pjesë Albin Kurti (LVV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK).

Po ashtu, Presidentja pati një takim të ndarë me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.

Ky takim ka përfunduar pa ndonjë rezultat. Liderët partiakë thanë nuk është gjetur rrugëdalje për ngërçin e krijuar tash e një muaj. Ndërkohë presidentja Osmani tha se “ekziston një disponim minimal”, për të cilin tha është e bindur se do të rritet me kalimin e kohës.

Osmani po ashtu tha se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, por se aktualisht do të presin. Ajo tha se këtë e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim për këtë.

Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA./Reporteri.net/