Prodhuesit e telefonave celularë do të duhet të specifikojnë se sa do të zgjasë bateria

Bashkimi Evropian po inkurajon transparencë më të madhe nga kompanitë e teknologjisë ndaj konsumatorëve. Rregullorja më e fundit në këtë drejtim është se nga 20 qershori i këtij viti, të gjithë telefonat inteligjentë dhe tabletët e shitur në BE do të duhet të mbajnë një etiketë të re që do të tregojë dhe garantojë jetëgjatësinë dhe efikasitetin e baterisë.

Ky është një ndryshim që lidhet me etiketat e energjisë. Rregullorja zbatohet për të gjithë telefonat pa tel (si celularë ashtu edhe fiksë), pavarësisht nëse pajisja përdor një rrjet fiks, celular apo satelitor, është me ose pa lidhje interneti apo funksionon duke përdorur aplikacione të palëve të treta, dhe e gjithë kjo vlen edhe për tabletët me ekrane midis 7 dhe 17.4 inç. Ngjitësja e re do të jetë në pajisjet e reja që do të lançohen më 20 qershor e më pas.

Pajisjet me ekrane kryesore fleksibël – janë të përjashtuara nga kjo kërkesë. Përjashtim bëjnë telefonat dhe tabletët që shfaqen në treg para 20 qershorit.

Të gjitha pajisjet e mbuluara nga rregullorja duhet të plotësojnë pesë kritere kryesore të ekodizajnit. Këto janë: qëndrueshmëria, jetëgjatësia e baterisë, riparimi i mundshëm dhe i realizueshëm, qasja në riparime dhe mbështetja e softuerit.

Më hollësisht: Pajisjet duhet të jenë rezistente ndaj rënieve aksidentale dhe të mbrojtura nga pluhuri dhe uji. Bateritë duhet t’i rezistojnë të paktën 800 cikleve të plota të karikimit dhe shkarkimit, duke ruajtur të paktën 80 përqind të kapacitetit të tyre origjinal. Prodhuesit duhet të ofrojnë pjesë këmbimi kryesore brenda 5-10 ditëve pune dhe t’i ofrojnë ato për një periudhë prej shtatë vitesh pas përfundimit të shitjes së pajisjes në BE. Përmirësimet e sistemit të softuerit duhet të jenë të disponueshme për të paktën pesë vjet nga data e përfundimit të shitjes. Ofruesit e shërbimeve profesionale duhet të kenë qasje jodiskriminuese në të gjithë softuerët dhe firmware-ët e nevojshëm.