Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një takimi me presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, në Shtëpinë e Bardhë, i bëri një lloj “prite” mysafirit.
Në fakt, Trump e priti Ramaphosan me një video pesëminutëshe, për të cilën pretendonte se kishte të bënte me akuzat për gjenocid ndaj popullsisë së bardhë në Republikën e Afrikës së Jugut. Gjatë transmetimit të videos në ekranet e mëdha në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, dritat ishin zbehur.
“Kemi mijëra tregime që flasin për këtë. Kemi dokumentarë, kemi artikuj gazetash. Mund të t’ju tregoj disa gjëra,” tha lideri amerikan, shkruan cnn.
Më pas kërkoi nga stafi të ndizte dritat. Videoja në fjalë më vonë u publikua në llogarinë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në rrjetin social X, me titullin “Dëshmi e përndjekjes në Afrikën e Jugut”.
Ramaphosa fillimisht qeshi, por më vonë u duk sikur ndjehej në siklet. Në një moment e pyeti Trumpin nëse i kishin thënë ku ishte realizuar videoja, por Trump vetëm tundte kokën.
“Do të doja të dija ku është kjo, sepse këtë nuk e kam parë kurrë,” i tha presidenti i Afrikës së Jugut, ndërsa Trump iu përgjigj se bëhej fjalë për Afrikën e Jugut.
I pyetur nga gazetarët se çfarë do të donte që Ramaphosa të bënte në lidhje me atë që u pa në video, Trump u përgjigj se nuk e dinte. Gjatë takimit, Ramaphosa mohoi se në vendin e tij po zhvillohej gjenocid ndaj popullsisë së bardhë.
Disa anëtarë të administratës së Trumpit, mes tyre edhe multimiliarderi Elon Musk, i cili ka lindur në Afrikën e Jugut, më parë kishin akuzuar autoritetet e këtij shteti për përndjekje të të bardhëve si pakicë.