Irani këmbëngul se s’do ta ndalojë pasurimin e uraniumit, pavarësisht kërkesës së SHBA-së

Kryediplomati iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar të mërkurën se Teherani zyrtar s’do ta ndalojë kurrë pasurimin e uraniumit, teksa ka theksuar se kjo vijë e kuqe vazhdon të qëndrojë në negociatat bërthamore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton AP.

Përkundër takimeve, ende nuk është arritur asnjë dakordim, ndërsa zyrtarët amerikanë sikurse presidenti Donald Trump, i dërguari për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kanë ripërsëritur qëndrimin se Irani duhet të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit.

“E kam thënë më përpara, dhe po e përsërisë: pasurimi i uraniumit në Iran ka për të vazhduar, me apo pa marrëveshje”, ka thënë Araghchi.

SHBA-ja dhe Omani, ende nuk kanë njoftuar për rundin e pestë të negociatave. Turneu i Trumpit në Lindjen e Mesme pati zvarritur çdo mundësi për ndonjë takim të mundshëm.

Negociatorët ishin takuar më herët në Muscat të Omanit dhe në Romë të Italisë.

“Ne kurrë nuk e kemi braktisur diplomacinë, do të jemi gjithmonë të pranishëm në tavolinën e negociatave, dhe arsyeja kryesore për praninë tonë është të mbrojmë të drejtat e popullit iranian. Ne qëndrojmë kundër kërkesave dhe retorikës së tepërt në tavolinë”, ka deklaruar Araghci.

Bisedimet synojnë ta kufizojnë programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së disa prej sanksioneve të rënda ekonomike që SHBA-ja ia ka vendosur ndaj Republikës Islamike, teksa armiqësia ndërmjet dy vendeve po vazhdon për më shumë se katër dekada.

Gjatë mandatit të tij të parë si president (2017-2021), Trumpi pati tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore që vendoste kufizime të rrepta në aktivitetet e pasurimit me uranium të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.