“Izraeli i hapur për armëpushim të përkohshëm”, Netanyahu paraqet planin për të parandaluar krizën humanitare në Gaza

Kryeministri izraelit Benjamin Natanyahu ka zhvilluar një konferencë për mediat ku është fokusuar te disa çështje, së pasi te situata në Gaza, grupi terrorist i Hamasit dhe Irani.

Netanyahu ka thënë se Izraeli ka një qëllim të qartë dhe synimi i tij është të mposhtë Hamasi, duke u shprehur se kanë edhe një plan shumë të organizuar. Po ashtu ka nënvizuar se Izraeli është i hapur për armëpushim të përkohshëm dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Ai thotë se 20 pengje të marra nga Hamasi në sulmet e 7 tetorit 2023 besohet se janë gjallë dhe deri në 30 të tjerë kanë vdekur.

Ndër të tjera e ka cilësuar Iranin ende një “kërcënim të madh”, për Izraelin.

“Në koordinim të plotë me SHBA-në – Izraeli shpreson të arrijë një marrëveshje që do ta parandalojë Iranin të pajiset me armë bërthamore”, ka thënë ai.

Netanyahu më tej i ndalur te situata në Gaza, tha se “në fund” Rripi i Gazës në tërësi  do të jetë nën kontrollin e sigurisë izraelite dhe se Hamasi do të mposhtet.

Ai thekson gjithashtu nevojën për të parandaluar një krizë humanitare dhe më pas zbulon një plan me tre faza për dërgimin e ndihmave në Gaza.

Kjo përfshin dërgimin e ndihmave bazë në Rrip, hapjen e pikave të shpërndarjes së ushqimit nga kompanitë amerikane të siguruara nga ushtria izraelite dhe krijimin e një zone për të mbrojtur civilët pas marrjes së kontrollit të sigurisë në Gaza.