Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dyshohet se po ndodhë një shkelje e rëndë, ku konkurset po shpallen me nga dy herë, duke ia përshtatur kushtet kandidatëve të favorizuar. Kjo po ndodh saktësisht tek konkursi për Drejtor në Klinikën e Pediatrisë, ku kandidatja Alije Keka -Sylaj po tentohet të zgjidhet në krye të kësaj klinke, anipse e njëjta ishte refuzuar në konkursin e parë.
Procesi i rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Klinikës së Pediatrisë në QKUK ka ngritur dyshime pas ndryshimeve të papritura në kriteret e përzgjedhjes midis dy konkurseve të njëpasnjëshme.
Konkursi i parë, i shpallur më 22 nëntor 2024, thekson qartë që kandidatët të dëshmonin përvojë menaxheriale përmes Trustit Pensional për një periudhë prej tre vitesh. Ky kriter u konsiderua thelbësor dhe çoi në përjashtimin e disa kandidatëve që nuk përmbushnin këtë kërkesë.
E në konkursin e parë për pozitën e “Drejtor në Klinikën e Pediatrisë”, kandidatja Alije Kekaj-Sylaj nuk kishte plotësuar kriteret.
Periskopi ka siguruar edhe vendimin, në të cilën thuhet se Kekaj-Sylaj nuk e ka plotësuar kriterin e konkursit se duhet t’i ketë 6 vite punë profesionale dhe së paku 3 vite punë menagjeriale.
“Pas rishikimit të dosjes Sektori i personelit në QKUK, ka gjetur se pozita Sekretare e Katedrës në fjalë nuk është pozitë menagjeriale, andaj kandidatja nuk i plotëson kriteret e konkursit për Drejtor të Klinikës së Pediatrise si dhe i anulohet testi me shkrim i mbajtur me datë 14.01.2025”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e vendimit.
Megjithatë, më 20 mars 2025, në konkursin e dytë të shpallur për të njëjtën pozitë, kriteri për dëshminë e përvojës menaxheriale nga Trusti ishte hequr.
Si rezultat, kandidatja Alije Keka-Sylaj që më parë ishte përjashtuar, u përfshi në fazën e dytë të vlerësimit (testim me shkrim), ndonëse nuk ka dëshmi të një ndryshimi të gjendjes faktike që do të justifikonte kualifikimin e saj brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore.
Krejt kjo ka ngritur shqetësime për mundësi të trajtimit të pabarabartë të kandidatëve, si dhe për mungesë transparence në arsyetimin e ndryshimeve të kritereve.