Opinionisti Rrahman Paçarizi ka deklaruar se partitë politike në vend nuk kanë interes për të reformuar arsimin sepse synojnë të mbajnë pushtetin përmes qytetarëve të paarsimuar dhe pa mendim kritik.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova mbrëmjen e së martës, ai u shpreh se kjo shoqëri refuzon liderë të qetë dhe racionalë, siç është Avdullah Hoti, duke preferuar më shumë figurat autoritare.
“Kjo shoqëri i do liderët brutalë. Një shoqëri e cila Avdullah Hotin thotë shumë i mençur, shumë modest, por i butë, si për Finlandë… Liderë të tillë do të vijnë derisa të zhvillojmë sistemin e arsimit. Asnjë parti politike nuk ka tentuar të bëjë reformë në arsim, sepse u duhen njerëz të paarsimuar pa mendim kritik”, ka deklaruar Paçarizi.
Ai ka folur edhe për mungesën e mendimit ndryshe brenda partive politike në Kosovë, duke veçuar Lëvizjen Vetëvendosje.
“A keni dëgju ndonjëherë të vetme, prej 2017 një mendim ndryshe në Vetëvendosje? Kemi pasur dy-tri herë, por kanë ecur ata. Ata nuk janë pushkatu, por ata nuk janë më në LVV, madje as në politikën kosovare sepse diskreditohen prej falangave, të cilët janë në shërbim të akomodimit të Kurtit”, është shprehur ai në Rubikon.
Në fund, Paçarizi ka folur edhe për GUXO-n, për të cilën tha se është ndërtuar mbi mllefin dhe momentumin politik të një periudhe të caktuar.
“Partia GUXO është parti e hidhërimit, është ndërtuar në një moment të caktuar, ka marrë shumë vota sepse ka marrë elektorat të LDK-së duke e ndërtuar për dy vjet më herët, edhe në fushatë zgjedhore, diskursin e përbashkët të LDK-së dhe Vetëvendosjes. Nuk mund të thuash sot jemi me LVV-në, e nesër jo nuk jemi. Rrudhja e LDK-së është për pasojë e diskursit të LDK-së gjatë fushatës së vitit 2019 sepse të dyja kanë konsideruar bashkë se do t’ia japin shkelmin e fundit PDK-së, por kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë ndër të tjerash Paçarizi.