Portofolat e Trustit rikthehen në rritje, mbi 1% kthim për skemat konservative dhe të balancuara

Pas luhatjeve në tregjet financiare globale gjatë muajve mars dhe prill, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) ka bërë të ditur se të gjitha portofolat investuese janë rikthyer në rezultate pozitive për vitin 2025.

Sipas të dhënave për datën 15 maj 2025, rikuperimi është i dukshëm në të gjitha kategoritë:

  • Portofoli Konservativ, që përfshin kontribuuesit mbi moshën 63 vjeçare, ka shënuar një rritje prej +1.26%.

  • Portofoli i Balancuar, që përfshin moshën 58-62 vjeç, ka realizuar një rritje prej +1.01%.

  • Portofoli Standard, që përfshin kontribuuesit nga mosha 15 deri në 57 vjeç, ka arritur një rritje më modeste prej +0.18%.

Trusti thekson se gjatë muajve të parë të vitit, kursimet e pjesës më të madhe të kontribuuesve (nën 63 vjeç) u prekën nga rëniet në tregjet globale, por rikuperimi i tyre tashmë ka ndodhur. Ndërkohë, portofoli konservativ, i cili ka rrezikshmëri më të ulët, ka mbetur gjatë gjithë kohës në territor pozitiv.

“Ritheksojmë se në afatgjatë, FKPK-ja ka dëshmuar ngritje të vlerës nga investimet, duke akumuluar rreth 1 miliard euro kthim bruto prej themelimit e deri më tani”, thuhet në njoftimin e Trustit.

Ky rikuperim vjen si një sinjal pozitiv për mbi 800 mijë kontribuues në sistemin pensional, pas muajsh pasigurie në tregjet ndërkombëtare financiare. /Demokracia.com/