Behrami: Kurti u tregua i pabesë me SHBA-në, s’kemi pritur që do të jetë i besës në takim me PDK-në

Artan Behrami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është treguar i pabesë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, andaj nuk kanë pritur që të jetë i besës as në takim me PDK-në.

Behrami tha në “Tempus” se PDK-ja ka dalë prej vetes, duke u shprehur se e kanë ditur kur iu dërgoi ftesë se kush po iu dërgon ftesë.

“Një njeri që është treguar i pabesë ndaj aleatëve siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kemi pritur që ai do të jetë i besës në takim me ne. Ne e kemi ditur, por pavarësisht asaj jemi të interesuar që sa ma shpejt të kemi një Kuvend dhe sa ma shpejt të kemi një Qeveri”, tha deputeti i PDK-së.

Ai tha se PDK-ja është e interesuar që sa më shpejt të formohen institucionet, duke pasur parasysh rritjen e çmimeve, sanksionet e BE-së, e të tjera.

“Kemi sfida shumë të mëdha të brendshme siç është rritja e çmimit të energjisë elektrike, siç është shporta, siç është rritë pasiguria në shkolla, jemi në sanksione të Bashkimit Evropian, kemi marrëdhënie përtokë me SHBA-në, kemi një Gjykatë Speciale e cila është e pamonitoruar dhe është duke shkelur të drejtat e njeriut çdo ditë sepse nuk ka asnjë institucion në Kosovë që krijon ndonjë mekanizëm që të paktën i monitoron këto shkelje të të drejtave të njeriut”, tha Behrami.

Për shkak të shumë sfidave, ai tha se PDK-ja është treguar e gatshme të bëjë kompromise. Tha se insistimi në Albulena Haxhiun është insistim “për të krijuar një Avni Dehar të dytë”.

Sipas tij, Kurti iu frikësohet sfidave të brendshme, por edhe atyre të jashtme. Behrami thotë se Kurti as nuk do të marrë përgjegjësi, por as të lëshojë pe.

“Ai figurativisht e ka marrë Kuvendin peng, institucionet peng dhe Kosovën peng”, tha Behrami, duke shtuar se nuk i frikësohen Kurtit por faktit që, siç thotë ai, Kurti nuk kursen asgjë për të jetësuar idetë e veta.