18 tentime, 18 dështime: Rezultat i njëjtë në Kuvend

Edhe sot ka dështuar votimi i komisionit për votim të fshehtë.

Për herën e 18, pushteti nuk ka vota, opozita nuk e voton Albulena Haxhiun.

Kryesuesi Dehari i ftoi në fillim të seancës përfaqësuesit e partive politike për konsultim.

52 deputetë votuan pro komisionit për votim të fshehtë.

Në këtë situatë, zgjidhje nuk ka në horizont.

Gjykata Kushtetuese pritet ta trajtojë vendimin për ndryshimin e votimit, pas ankesës nga AAK-ja.

Fillimisht në dy seancat e para kjo nuk ndodhi për arsyet e votimit të raportit për mandatet e deputetëve.

E më pas, prej atëherë, për më shumë se një muaj, partia e Albin Kurtit nuk po arrin t’i sigurojë votat për Albulena Haxhiun.

Disa herë e vendosën në votim, por nuk shkonte mbi 57 vota.

E kur e panë që dështimet po përsëriten në çdo seancë, ndërruan opsion. Më pas, kërkuan votim të fshehtë.

E nga atëherë, nuk po arrin t’i sigurojë votat komisioni për votimin e fshehtë. Megjithatë, edhe ky komision, dëshmon që as Haxhiu e as VV nuk e ka shumicën.

Në seancën e fundit, partia e Kurtit propozoi që të mos mblidhen çdo 48 orë, por një herë në javë. Një Qëndrim të cilin opozita e kundërshtoi ashpër.

Pak ditë më parë, liderët patën takime edhe te presidentja.

Megjithatë, presidentja Osmani është treguar optimiste.

Pas takimit, ajo ka treguar gatishmëri që liderët politikë t`i takoj edhe në mënyrë individuale.

“Pasojat kryesore i bartë vendi ynë dhe qytetarët, kjo është arsyeja pse në zbatim të kompetencave të presidencës kam ftuar kryesuesit e partive politike dhe bartësit e koaliconeve, dhe pas pak do të takohem me partitë e komuniteteve jo shumicë për të diskutuar rrugën përpara. Më lejoni të sqaroj se ky është vetëm takimi i parë, nëse është e nevojshme, nga java tjetër do t’i takoj liderët e partive edhe individualisht për të vazhduar edhe me formate më pas sipas nevojes. Këto nuk janën kosnultime për krijimin e qeverisë sepse këto i takojnë ekskluzivisht partive politike. Diskutimet e sotme, së paku nga ana ime, kanë qenë të fokusuara në tërësi te çështja e konstituimit të Kuvendit…”, ka thënë ajo.

Ajo shprehu gatishmërinë që dërgojë lëndën në Gjykatën Kushtetuese, nëse vazhdon zvarritja.

“Diskutimi ka qenë me respekt të ndërsjellë dhe konstruktiv, ndoshta për shkak të përvojës së gjatë, kam parë lloj-lloj takimesh, ky nuk ka qenë i tillë. Tymi i bardë del vetëm kur kemi konstituim të Kuvendit. Disponim minimal e thashë në kontekstin që vullnet ka tek të gjithë liderët për të gjetur zgjidhje, dhe për të dëgjuar edhe ide të reja. Dërgimin në Gjykatë Kushtetuese e kemi diskutuar për herën e parë, shpresa ka qenë që Kuvendi konstituohet më shpejt, e jo që kemi nevojë të vimë deri këtu”, ka thënë ajo, duke shtuar se kur mund ta dërgojë lenden në Kushtetuese.

“Jam e gatshme t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese nëse vazhdon zvarritja e procesit. Nëse shkon shumë shumë gjatë, liderët duhet të ulen e të pajtohen për zgjedhje, megjithatë për këtë duhet të pajtohen së pari për konstituim të Kuvendi”, është shprehur.