Kriza e mbeturinave në Prishtinë ka shpërthyer për shkak të borxhit prej rreth 3 milion eurove që Komuna i ka ndaj “KRM Pastrimi”. Si rezultat, kompania ka ndërprerë pastrimin e qytetit për shkak të mungesës së fondeve për derivate. Pastrimi ka rreth 900 punëtorë, por sot u shfaqën vetëm disa individë para Komunës, raporton Demokracia.com.
Ndërkohë që qyteti po mbytet në mbeturina, kryetari Përparim Rama ka takuar Florim Cakiqin, i cili pretendohej si “kryetar sindikati”, megjithatë sindikata e tij nuk njihet nga askush dhe nuk figuron në asnjë regjistër zyrtar të sindikatave, pranë Ministrisë së Financave. Cakiqi është nën hetim për pretendime të keqpërdorimit të pagesave sindikale nga viti 2021 deri në 2023.
Sot, punëtorët e “Pastrimit” protestuan para zyrës së Komunës së Prishtinës me pankarta që shkruanin “Paguaj borxhin o borxhli i keq”, “Mos bëj politikë me dështimin tënd”, “Na lini të punojmë”.
Në anën tjetër, Komuna nuk ka asnjë plan konkret për të shlyer borxhin, duke lënë qytetarët të paguajnë faturat e tyre ndërsa rrugët mbeten të mbushura me mbeturina. /Demokracia.com/