Joserioziteti i misionit: Brenda një fjalie vëzhguesit e BE-së përfshijnë Serbinë dhe administratën e ShBA-ve për n

Duket e çuditshme, por vëzhguesit e zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian nuk e njohin kontekstin historik dhe politik të Republikës së Kosovës dhe marrëdhëniet e veçanta të shtetit të ri me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe raportet armiqësore me Serbinë që kultivohen nga kjo e fundit.

Një deklaratë e një zyrtari të administratës së SHBA-ve është barazuar me ndërhyrjen e vrazhdë dhe sistematike të Serbisë në serbët e Kosovës gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, raporton Paparaci.

Në raportin përfundimtar që Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve e titullon vetëm me emërtim të përgjithshëm si “Zgjedhjet parlamentare 2025” duke shmangur emërtimin zyrtar sipas dekretit presidencial “Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar edhe për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve që u mbajtën në muajin shkurt.

Ajo që bie në sy është se në përmbledhjen ekzekutive të këtij raporti, ky mision, duke folur për ndërhyrjet e jashme në këto zgjedhje, në një fjali të vetme ka përfshirë Serbinë dhe administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“… fushata ishte subjekt i ndërhyrjes së jashtme nga Serbia dhe administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në faqen 7 të raportit, ku nuk evidentohet ndonjë tjetër ndërhyrje nga ndonjë shtet tjetër.

Vëzhguesit e BE-së janë treguar të “pakujdesshm” duke shmangur kontekstin historik se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm dhe kyç në lirinë, pavarësinë e Kosovës dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore, të cilat sot kanë aftësinë për të organizuar edhe zgjedhje, ndërkaq Serbia paraqet anën tjetër, atë të luftimit të vazhdueshëm të shtetit të Kosovës.

Vetëm në brendësi të raportit, në faqen 25 dhe 26 të tij, shkruhet më shumë për këto “lloje” të ndërhyrjeve të jashtme në zgjedhjet në Kosovë.

Vëzhguesit e BE-së e kanë llogaritur si ndërhyrje në fushatë një deklaratë nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për misionet speciale, Richard Grenell, i cili “e kritikoi kryeministrin Albin Kurti se nuk është partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara”.

Në postimet e tij, Grenell kishte kritikuar qeverinë e Kurtit si “jo të besueshme” dhe kishte thënë se “marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë në nivel më ulët”.

Është e qartë se këto kritika të shprehura nga Grenell nuk janë qëndrime të tij personale dhe as nuk bëheshin ekskluzivisht për fushatën zgjedhore, pasi që prej kohësh administrata të ndryshme amerikane, përfshirë edhe ajo e presidentit Biden, kanë shprehur publikisht qëndrimet e tyre, siç ka bërë në një rast edhe Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien, i cili alarmonte se nëse Kurti nuk e trajton SHBA-në si partnere, as ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere.

Në vazhdim të raportit, vëzhguesit nga BE-së i kanë kushtuar një paragraf edhe ndërhyrjeve të shtetit të Serbisë në komunitetin serb gjatë këtyre zgjedhjeve.

“Fushata e LS ishte më e spikatura nga partitë serbe të Kosovës, kryesisht përmes mediave të Serbisë dhe mediave të vogla serbe të Kosovës, në të cilat partitë e tjera politike nuk kishin fare, ose kishin qasje shumë të kufizuar. Bashkëbiseduesit shpesh raportuan se anëtarët e LS-së u bënin presion votuesve të cilët varen shumë nga ndihma sociale e Serbisë ose punësimi në institucionet e menaxhuara nga Serbia në komunat serbe të Kosovës. Më 3 shkurt, drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi njoftoi se do të shpërndahen nga 22,000 dinarë serb (170 €) në muaj për personat në gjendje të vështirë sociale dhe të papunë, duke filluar me 5,000 veta që do i marrin nga mesi i shkurtit. Për më tepër, përkrahja e Presidentit Aleksandar Vuçiq për LS, nxitja nga ai e votuesve për të mbështetur këtë parti, si dhe deklaratat e paqarta të Kishës Ortodokse Serbe, përfaqësonin akte ndërhyrjeje në fushatën zgjedhore”, thuhet në raport.

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të 9 shkurtit ka publikuar raportin përfundimtar të enjten e 15 majit dhe aty jepen kritika të mëdha për organizimin e dobët të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në këtë raport, kritikohen edhe anëtarët e KQZ-së që gjatë procesit zgjedhor nuk e kanë respektuar ligjin, por kanë mbrojtur interesin e partive të tyre politike.

Në këtë mënyrë, sipas raportit, ata kanë rrezikuar pavarësinë dhe paanshmërinë e institucionit që i organizon dhe administron zgjedhjet në Republikën e Kosovës.

“Pavarësisht nga propozimet politike, legjislacioni zgjedhor i obligon anëtarët e KQZ-së të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të paanshme dhe parashikon disa masa për të garantuar pavarësinë dhe profesionalizmin e tyre. Megjithatë, EU EOM vërejti raste të ndikimit politik në procesin e vendimmarrjes së KQZ-së, me anëtarë individualë që vepronin si mbrojtës të interesave të subjektit që i ka propozuar ata, duke rrezikuar pavarësinë dhe paanshmërinë e KQZ-së”, është thënë në faqen 16 të raportit.

Sipas raportit “zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Kosovë ishin të qeta dhe konkurruese, dhe u zhvilluan sipas një kornize të re ligjore që synon rritjen e transparencës dhe besimit. Dita e zgjedhjeve në përgjithësi u zhvillua mirë, megjithatë, pjesë kritike të procesit u ndikuan nga organizimi i dobët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke shkaktuar edhe vonesa kritike në shpalljen e rezultateve të vendvotimeve dhe atyre përfundimtare”.