Eurovisioni në shifra: Cilat shtete kanë më së shumti fitore në garën evropiane të muzikës

Festivali Evropian i Këngës për vitin 2025 po zhvillohet në qytetin e Baselit në Zvicër, me finalen e madhe që mbahet të shtunën.

Më poshtë është një përmbledhje interesante e Eurovizionit në shifra dhe fakte:

0 – Të marrësh zero pikë ka qenë frika më e madhe për pjesëmarrësit në finale. Kjo ka ndodhur 37 herë në historinë e festivalit, veçanërisht gjatë viteve 1960, kur ndodhi plot 19 herë. Pas prezantimit të gjysmëfinaleve në vitin 2004, kjo u bë shumë më e rrallë. Megjithatë, përfaqësuesi britanik James Newman arriti të marrë zero pikë në vitin 2021.

3 – Qyteti mikpritës, Baseli, ndodhet në kufirin mes Zvicrës, Gjermanisë dhe Francës, me lumin Ren që i bashkon të tria vendet.

3 prezantues – Finalen do ta moderojnë komediania Hazel Brugger, prezantuesja e njohur televizive Michelle Hunziker, dhe këngëtarja Sandra Studer, e cila ka përfaqësuar Zvicrën në Eurovisionin e vitit 1991.

5 – Pesë vendet kryesore financuese të Eurovisionit – Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja – kanë të garantuar pjesëmarrjen e tyre në finalen e madhe.

6 – Dublini ka qenë qyteti mikpritës më i shpeshtë në historinë e festivalit, me plot gjashtë herë.

7 – Suedia dhe Irlanda ndajnë rekordin për më shumë fitore në Eurovision, me nga shtatë fitore secila.

9 – Mbretëria e Bashkuar ka organizuar Eurovisionin nëntë herë – pesë herë pas fitoreve të veta dhe katër herë si vend zëvendësues, siç ndodhi në Liverpool në vitin 2023, kur Britania organizoi festivalin në vend të Ukrainës, që nuk mundi ta organizonte për shkak të luftës.

13 – Sandra Kim nga Belgjika është fituesja më e re në historinë e Eurovisionit. Ajo fitoi në vitin 1986 në moshën 13-vjeçare me këngën “J’aime la vie”.

14 – Greqia, Norvegjia dhe Ukraina janë kualifikuar nga gjysmëfinalet për në finale 14 herë, më shumë se çdo vend tjetër.

16 – Mbretëria e Bashkuar ka përfunduar në vendin e dytë plot 16 herë, më shumë se çdo vend tjetër. Pas saj vijnë Franca me 6 herë dhe Gjermania me 5 herë në vendin e dytë.

26 – Numri i shteteve që garojnë në finalen e madhe të këtij viti është 26.

27 – Këngët fituese të Eurovisionit kanë ardhur nga 27 vende të ndryshme, nga Rusia si vendi më i madh, deri te Monako si vendi më i vogël.

30 – Rekordi për kohën më të gjatë ndërmjet dy pjesëmarrjeve në Eurovision mban Justyna Steczkowska nga Polonia: ajo u ngjit në skenën e Eurovisionit për herë të parë në 1995 dhe rikthehet tani, pas 30 vitesh.

43 – Rekordi për pjesëmarrje më të madhe është 43 vende, i arritur në vitet 2008, 2011 dhe 2018.

69 – Këtë vit mbahet edicionit i 69-të i Eurovisionit.

95 – Emil Ramsauer, pjesëtar i grupit Takasa, ishte 95 vjeç kur përfaqësoi Zvicrën në vitin 2013, duke qenë kështu pjesëmarrësi më i vjetër në historinë e Eurovisionit. Ai luante kontrabas. /Telegrafi/